Në seancën plenare të sotme, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, lëshoi një akuzë të fortë ndaj qeverisë, duke e cilësuar modelin e saj ekonomik si “të mbyllur, të korruptuar dhe shkatërrimtar për të ardhmen e shqiptarëve”.

Sipas Tabakut, 12 vitet e fundit kanë prodhuar një arkitekturë pushteti që ka goditur qytetarin, ekonominë e tregut dhe vetë perspektivën e vendit. Ajo nënvizoi se korrupsioni galopant, politikat klienteliste dhe ligjet e qepura me porosi kanë sjellë “varfërim, pabarazi dhe një ekonomi të kontrolluar nga një pakicë e privilegjuar”.

Duke u ndalur te zhvillimet ekonomike, Tabaku theksoi se realiteti i vitit 2025 është një Shqipëri që shtrenjohet çdo ditë, ndërsa zbrazet nga të rinjtë dhe nga shtresa e mesme. Ajo u shpreh se bujqësia po përjeton krizën më të thellë në tri dekada, për shkak të devijimit të fondeve publike drejt projekteve abuzive të inceneratorëve, të cilat kanë lënë një barrë prej 1.3 miliardë eurosh mbi buxhetin e shtetit.

Në të njëjtën linjë, Tabaku paralajmëroi se sektori fason, që mban mbi 170 mijë familje, po shkon drejt kolapsit, ndërsa rënia e euros dhe orientimi i financave publike drejt PPP-ve ka lënë industrinë prodhuese pa mbështetje dhe të pambrojtur.

Ajo përmendi gjithashtu se të gjitha treguesit makroekonomikë dëshmojnë një rritje artificiale, të mbajtur në këmbë nga shpenzimet e shtetit, jo nga prodhimi real apo eksportet. “Nëse heqim shtetin nga ekuacioni, rritja reale është vetëm 1.97% — më e ulëta që prej vitit 2013”, u shpreh deputetja demokrate, duke e cilësuar këtë një “kthim pas tek logjika socialiste e ekonomisë së centralizuar”.

Tabaku akuzoi qeverinë se ka braktisur qëllimisht shtresën e mesme dhe sipërmarrjen e vogël, ndërsa ka krijuar një ekonomi që funksionon jo mbi parimet e konkurrencës, por të patronazhit politik. “Biznesi në Shqipëri nuk shikon më tregun, por qeverinë”, deklaroi ajo, duke e cilësuar vendin si një ekonomi klienteliste, të koncesionuar deri në palcë.

Në mbyllje të fjalës së saj, Tabaku kërkoi një orientim të ri për vendin, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për një model të drejtë ekonomik, që ndërtohet mbi meritokraci, dije dhe punë reale. Sipas saj, vetëm një vizion i ri politik dhe ekonomik mund të rikthejë shpresën, zhvillimin dhe besimin e qytetarëve te shteti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb