Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku komentoi progres raportin e KE për integrimin e Shqipërisë në BE. E ftuar në programin e drekës në News24, Tabaku tha konkretisht në raport përmendej rasti flagrant me News24, që u sulmua padrejtësish nga qeveria.
Tabaku theksoi se raporti trajton gjithashtu problematikat me komisionet hetimore parlamentare dhe liston një sërë kapitujsh ku shprehen qartë shqetësime për funksionimin e institucioneve.
“Progres-raporti pritej të dilte në fillim të kësaj jave. Ngjyrat këtë radhë janë më të thjeshta. Nuk kam dëgjuar asnjë nga mazhoranca që të mburret me këtë raport. Marta Kos ishte entuziaste, por në raport nuk shihet ky entuziazëm. Ai ndalet te raporti i OSBE-së për zgjedhjet, që nga blerja e votës, përdorimi i burimeve njerëzore, përfshirja e administratës apo ndarja e pushteteve.
Ka problematika për komisionet hetimore dhe një listë të gjatë kapitujsh e çështjesh ku shprehen qartë problemet. Këto probleme duhet të adresohen. Aty përmendet edhe rasti i medias suaj, News24, për pengimin e punës së gazetarëve. Ky është shembulli më i freskët i kësaj periudhe. Liria e medias është një problem i theksuar në raport. Elementi i dytë lidhet me fushën e të drejtave të njeriut. Gjithçka lidhet me lirinë e fjalës, të punës dhe me liritë themelore të njeriut. Hapja e 5 grupkapitujve është histori e së shkuarës.”, tha ajo.
