Tirana sheh dritë jeshile në prag të sfidës së radhës, teksa dy nga lojtarët më të rëndësishëm në repartin ofensiv, Redon Xhixha dhe Serzh Tabeku, me shumë gjasa do të jenë gati për ndeshjen e së dielës.
Të dy sulmuesit dolën me shqetësime nga përballja e fundit, por rikuperimi i tyre ka ecur pozitivisht dhe tashmë janë nën kontrollin e stafit teknik, duke rritur ndjeshëm shanset për aktivizim. Prania e kësaj dysheje konsiderohet jetike për bardheblutë, sidomos në një moment të sezonit ku çdo pikë ka peshë të madhe.
Xhixha, një nga liderët e sulmit, ka treguar shpesh se di të marrë përgjegjësi në ndeshje vendimtare, ndërsa Tabeku vjen pas rikthimit te goli dhe duket i motivuar për të vazhduar në të njëjtën linjë. Kombinimi i tyre në vijën e parë i jep Tiranës më shumë alternativa në fazën sulmuese dhe rrit ndjeshëm potencialin për të konkretizuar rastet.
OBJEKTIVI – Nga ana tjetër, trajneri Orges Shehi ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra, duke e bërë të qartë se nuk ka vend për shpërqendrim në këtë fazë të kampionatit. Objektivi është i qartë dhe konkret, 9 pikë në tre ndeshjet e para të fazës së katërt. Një synim ambicioz, por që brenda klubit shihet si plotësisht i arritshëm, duke parë edhe kalendarin.
Tirana e ka hedhur hapin e parë me sukses, duke mposhtur Bylisin, por tani vijnë dy prova të tjera ndaj skuadrave të fundtabelës, Vorës dhe Flamurtarit. Pikërisht këto ndeshje konsiderohen si vendimtare për të marrë maksimumin dhe për të bërë një shkëputje nga zona e rrezikut. Në letër duken përballje të përballueshme, por presioni dhe rëndësia e pikëve i bëjnë sfida që duhen menaxhuar me shumë kujdes.
Rikthimi i mundshëm i Tabekut dhe Xhixhës në formacion i jep Shehit më shumë siguri për të synuar maksimumin në këto përballje. Dyshja pritet të jetë çelësi i realizimit të objektivit, pasi në ndeshje të tilla shpesh diferencën e bëjnë episodet dhe cilësia individuale në repartin ofensiv.
