Nga: LUAN RAMA*
Le ta shohim gjatë: është Shqiptarja e Corot, një tablo mitike për ne shqiptarët. Çuditërisht jo në sfondin e një qielli blu apo të përflakur nga një perëndim dielli, as në sfondin e një pylli idilik, të një mjedisi familjar intim apo siç qëndron e na sheh me sy lozonjarë zonja Foudras. Jo, Shqiptarja e piktorit francez Jean-Baptiste-Camille Corot është nëpër erë, hijerëndë, në ecje, e menduar, e vetëpërmbajtur ku edhe pse një çast duket si modeli që pozon para piktorit, shpejt, figura e kapërcen cakun e modelit, bëhet personazh, merr tipare përfaqësuese, ashtu, me atë kostum kombëtar që i përket një kombi, një vendi, ku e kuqja dhe e zeza pleksen me të bardhën e një këmishe që ngrohin gjinjtë e një vajze të re, të një figure elegante dhe me hirësi që ke dëshirë ta kundrosh gjatë, duke kërkuar ta ndjekësh në atë rrugëtim apo udhë ku është nisur.

Përse piktori e quajti “Shqiptarja”. Është vallë një shqiptare e ikur nga toka amtare e saj nga ku e mbajnë të lidhur veç etërit, këngët, gjuha, apo ai kostum që mban ende? Vallë Corot e pikëtakoi atë në udhëtimet e tij në Itali, poshtë jugut, atje ku shqiptarët tashmë kishin ngritur atdheun e tyre të dytë?

Kjo tablo e pikturuar në vitin 1872 shumë pak qëndroi në atelierin e piktorit, pasi atë kohë tablotë e tij shiteshin shumë. Për tregtarët e pikturave, por dhe për kritikët, ai ishte nga piktorët më të parapëlqyer të gjeneratës së tij. Tre vjet më vonë, kavaleti i tij nuk do ta ndjente më penelin e mjeshtrit. Por edhe kur po shuhej atë mbrëmje të 22 shkurtit të vitit 1875, fytyra e tij kishte një pamje të gëzuar. “Sa shumë gjëra kam për të pikturuar, sa shumë, – i thoshte ai mikut të tij Robout, që vinte puthuaj çdo ditë ta shikonte në atë prag-vdekjeje. – Shoh gjëra që kurrë s’i kam parë. Më duket se asnjëherë nuk kam ditur ta pikturoj qiellin… Ky qiell që kam përpara është më i thellë, më rozë, më transparent. Ah sa do të doja t’ua tregoja këto horizonte te pafund»… I sëmurë nga një kancer në stomak, plaku Corot, (Koro), “artisti i vërtetë” siç e cilësonte Delacroix, piktori dhe një nga personalitetet me të shquara të shekullit të vet, po shijonte atë botë të magjishme dhe enigmatike, që siç duket vdekja ia shpalos njeriut para se ta rrëmbejë. Atë mëngjes shërbyesja e dhomës i kërkoi t’i çonte mëngjesin, por ai i tha: “Sot baba Corot do të shtrohet për të ngrënë atje lart,- dhe i bëri shenjë nga qielli.

Camille Corot i lindur në Paris nga një familje pariziene, ishte një piktor romantik si dhe bashkëkohësit e vet Pussin apo Sezan, me një prodhimtari të madhe artistike dhe gjithnjë në udhëtim e lëvizje. Në Louvre apo dhe në «Musée d’Orsay», kisha parë disa nga veprat e Corot, peizazhe këto të mrekullueshme. Corot vdiq në epokën kur po shfaqej impresionizmi dhe disa nga peizazhet e tij, me pemë nëpër erë, gjysmë flu, të ngjajnë si pararendëse të kësaj shkolle, që bëri emër të madh në historinë e pikturës botërore. Ai vdiq një vit pasi nxënësit e tij, mes të cilëve dhe Pisarro, hapën në “Boulevard des Capucines”, në atelienë e fotografit të shquar Nadar, ekspozitën e tyre të parë. Revolucioni grek për pavarësi, ngjarjet nga Ballkani, suljotët, bëmat e Ali Pashë Tepelenës, etj, i bënë shumë piktorë që të kthenin sytë drejt një realiteti të stuhishëm. Shumë piktorë trajtuan dhe temën shqiptare, siç bëri Delacroix me Boçarin, Auguste Decamps me arvanitasit apo Louis Dupré me suljotët, etj, apo piktorët e skulptorët e tjerë francezë. Vetëm tri vjet para vdekjes, piktori Corot n’a la një tablo të mrekullueshme me temë shqiptare të titulluar Shqiptarja (L’Albanaise).

Pas atelierëve të tij në Paris, si në “Quai Voltaire”, “Rue Neuve des Petits-Champs” dhe “Rue des Beaux Arts”, ai punoi së fundi në studion e rrugës “Rue Paradis-Poissoniere”, ku krijoi dhe tablonë Shqiptarja. Kjo tablo është punuar nga Corot në dimensionet 83x65cm dhe sot ndodhet në muzeun e Bruklinit në New York, ashtu si dhe disa piktura të tjera të Corot që gjenden në këtë muze si, “Letra”, “Bakante ne breg te detit”, etj. Në këtë tablo, si model ka shërbyer një vajzë 15 vjeçare, zonjusha Darmelas, e cila pozonte herë pas here në studion e tij, por që në këtë tablo duket më e rritur. Miku i tij Robout, e pa Corot duke e punuar këtë tablo në studion e tij më 9 janar 1872, siç e dëshmon ai në librin e tij me kujtime për Corot. Piktori i madh, i shquar për peizazhet dhe portretet, kishte bërë së pari dy skica, “croquis”, të cilat u ruajtën me pas.

Një vit më vonë, pas vdekjes së Corot, kur Robout e pa rastësisht këtë portret, të cunguar dhe të zvogëluar në dimensionet 74x65cm aq sa ekziston dhe sot, u shqetësua dhe zbuloi se pas shitjes së këtij portreti, jo vetëm që ajo ishte cunguar dhe prerë nga ana e krahut, duke u retushuar me penel, por i ishte zhdukur edhe vula e shitjes, duke shtuar mbi tablo një firmë të huaj. Ndërhyrja e mikut të piktorit e shpëtoi këtë vepër që bashkë me disa tablo të tjera të Corot, punuar në vitet e fundit të jetës së tij, janë mjaft të njohura nga kritika e huaj, si “Zonja Foudras”, (që gjendet sot në “Art Gallery Museum” të Glascoë), apo “Hebreja e Algjerit” dhe “Cigania me mandolinë” (“Museu de arte”, Sau Paolo), “Sibylle”, etj.

“Në portretin “Shqiptarja”, – shkruan kritiku i veprës së Corot, Jean Selz, në librin e tij “Jeta dhe vepra e Camille Corot”, – është dhënë një meditim i padeshifrueshëm”… Ndërsa ne përsëri pyesim: përse vallë e krijoi këtë tablo? Në kujtim të kujt?… Tablotë e mjeshtërve klasike ruajnë gjithnjë enigma e mistere rreth krijimit të tyre. Vallë përse ai portret i “shqiptares” kishte atë vështrim aq thellë, depërtues, të ngrohtë, atë vështrim që dhe pa folur, tregonte shumçka; ajo qetësi dhe paqe që lexohej në sytë e saj. Po, kjo “shqiptare”, si një “xhakonde” klasike ishte jo vetëm përsosmëri e linjave dhe ngjyrave, por dhe botë njerëzore. A nuk thoshte Corot se “mua më duhet një model, një portret që vibron?”

Kritiku dhe historiani i artit Vincent Pomarčde, në librin e tij kushtuar Corot-së, “Corot, la mémoire du paysage”, ndër të tjera shkruan se “Corot kishte sjellë nga udhëtimi i tij në Itali shumë kostume, të cilat i lejonin të vishte modelet gjatë seancave me ato. Dy nga kostumet origjinale që i pëlqenin më shumë ishin ato italiane dhe sigurisht shqiptare, apo me frymë orientale…”

TE ARBËRESHËT
Corot ishte një romantik dhe udhëtar i madh. Megjithëse gjithnjë mes njerëzve, ai jetoi e pikturoi i vetmuar, duke ia kushtuar gjithë jetën e tij artit, ngjyrave e për më tepër harmonisë pikturale. Ai ishte aq human e i brishtë sa vdekja e mikut të tij, shkrimtarit Théofil Gauthier e trishtoi pa masë. Më 1825 ai udhëtoi në Itali dhe zbriti drejt jugut të saj, duke u ndalur në fshatra që banoheshin nga arbëreshët shqiptarë, të ardhur aty para disa shekujsh. Ndaloi pikërisht në Civitta Castellana, e njohur për ngulimet e vjetra arbëreshe, ku ai krijoi një sërë tablosh, vizatimesh e peizazhesh. Më 1827 kur u kthye në Paris, ai u krenua para miqve të vet, duke u treguar peizazhin e punuar në vaj me shkëmbinjtë e kuq të Civitta Castellana, apo tablo te tjera në Narni, Terni apo Papigno. Një tjetër tablo e bukur në vaj është “La Cervara” e krijuar gjatë viteve 1825-1828. Nga Civitta Castellana gjendet një vizatim me kalem në Louvre si dhe një tablo në “National Museum” të Stokolmit. Dhjetëra vite më pas, duke dëgjuar historitë e pashait rebel të Janinës dhe padyshim historinë e personazhit të Haide-së, vajzës së Ali Pashës, të krijuar nga Aleksandër Dyma, histori këto që qarkullonin në sallonet letrare e artistike të Parisit (atë kohë arnautët e Gérôme ishin në modë), ai punoi tablonë “Haideja”, 1870-1872, sipas modelit të Emma Dobigny, veshur me një kostum të vajzave arvanitase të Athinës, me një këmishë të hapur “pankamiso” dhe një shami të lidhur në kokë, e cila në trisht është ulur buzë detit dhe mban një mandolinë në duar. Në sfond duken disa anije me vela. Është pikërisht Dobigny që pozon më pas për të dhe disa “nudo”.

Corot ishte një piktor që nuk u vlerësua aq nga zyrtarët e kohës së vet sesa nga artistët bashkëkohës si Baudelaire, Delacroix, etj. Në librin e tij Kuriozitete estetike, Baudelaire shkruante se “Corot pikturon si mjeshtërit e mëdhenj; ai është më shumë një harmonist sesa një kolorist…Pothuaj të gjitha veprat e tij kanë dhuntinë e veçantë të unitetit, që është nga gjërat esenciale të kujtesës. Ai është në krye të shkollës moderne të peizazhit”.

Në disa nga tablotë e fundit të tij bien në sy peizazhet në erë e në kohë të vrenjtur. Piktura e tij të rrëmben me dinamikën e saj. Edhe pa e parë nënshkrimin e autorit, artdashësi apasionuar thotë: Ja një Corot!

Më 1873, dy vite para se të vdiste, atëherë kur ai nxitonte sa në Ardennes, Coubron e Rennes, “Academie des Arts”, (Akademia e Artit në Paris), e vlerësoi me një Medalje të Artë për gjithë krijimtarinë e tij. Tri ditë para se të shuhej, ai ende punonte për tablotë që donte të ekspozonte në Sallonin e Artit që do të hapej në Paris. Atë mbrëmje të 22 shkurtit 1875, pra pothuaj një shekull e gjysmë më parë, sytë e artistit të madh do të perëndonin vonë, në prag të mesnatës. Ishte zemra e një artisti humanist, që i prekur nga mjerimi ku jetonte miku i tij, piktori tjetër i madh, Honore Domier, i bleu një shtëpi, që Domier të vdiste i qetë dhe i lumtur. Ashtu si Domier, në vetmi dhe në paqe me qiellin dhe njeriun, u shua ngadalë dhe drita e qirinjve të tij.

“Sa shumë gjëra kam për të pikturuar, sa shumë… – kishte pëshpëritur ai. Ndërsa ne, një shekull e gjysmë më pas, duke e parë këtë tablo, kemi dëshirë ta kemi të afërt, të prekshme, të pranishme, diku në një vend ku paraqitet historia shqiptare, në një muze, të kemi një “simotër” të kësaj tabloje, një lloj “xhakonde” që të mund ta shohim gjithnjë, edhe pse një kopje…
*Studiues
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: