Qyteti kryesor i Vietnamit u përball me kaos të madh pasi shirat e rrëmbyeshëm që solli tajfuni Katziki shkaktuan përmbytje të mëdha të martën në mëngjes. Tre persona humbën jetën, ndërsa dhjetë të tjerë u plagosën, njoftuan autoritetet, të cilët paralajmëruan se shirat e vazhdueshëm mund të shkaktojnë edhe përmbytje dhe rrëshqitje toke të mëtejshme.
Stuhia shkaktoi shkatërrimin e afërsisht 7,000 shtëpive, përmbyti 28,800 hektarë fusha orizi dhe rrëzoi rreth 18,000 pemë, sipas të dhënave zyrtare. Gjithashtu, 331 shtylla elektrike u rrëzuan, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në provincat Thanh Hoa, Nghe An, Ha Tinh, Thai Nguyen dhe Phu Tho. Përmbytjet e mëdha ndaluan trafikun, ndërsa uji mbuloi zonat e banuara të kryeqytetit, i cili po përgatitet për paradën kryesore të Ditës Kombëtare që do të mbahet javën e ardhshme, për të festuar 80-vjetorin e krijimit të shtetit.
Raportet shtetërore tregojnë se disa fshatra në provincën Bac Ninh janë izoluar për shkak të përmbytjeve. Tajfuni Katziki goditi bregdetin veri-qendror të Vietnamit të hënën pasdite, duke u përkeqësuar në stuhi tropikale ndërsa lëvizi drejt Laosit në mëngjesin e së martës, njoftoi agjencia kombëtare meteorologjike.
Sipas paralajmërimeve, shirat e fortë do të vazhdojnë në disa zona të veriut të Vietnamit, ku priten deri në 150 milimetra reshje në vetëm gjashtë orë, duke rrezikuar përmbytje të menjëhershme dhe rrëshqitje toke. Para se të godiste Vietnamin, Katziki përshkoi bregdetin jugor të ishullit Hainan në Kinë të dielën, duke detyruar qytetin e Sanyas të mbyllë bizneset dhe transportin publik.
