“Tak Fak” nuk e la rastin e Mimoza Sallakut nga fshati Topojë në Fier, në heshtje. Gazetarja Anxhela Gjiriti u interesua pranë njësisë vendore Topojë, në Fier, ku intervistoi administratorin e njësisë, Aleksandër Kola.

Përfaqësuesi vendor u shpreh se situata e saj është përkeqësuar pas vdekjes së nënës dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me motrën e saj.

“E kemi ndjekur si rast. I kemi sugjeruar motrës të nisë procedurat për ta sistemuar në një qendër rezidenciale”, tha ai.

Gjiriti pyeti dhe punonjësin social Shpëtim Duraj i cili pranoi se mungesa e një kujdestari dhe kapacitetet e kufizuara janë pengesë.

“Ajo nuk ka kujdestar dhe ne nuk kemi kushte për ta ndihmuar në mënyrë të përhershme”, deklaroi ai.

Nga Bashkia Fier u bë e ditur se aktualisht nuk ka qendra rezidenciale për persona në këtë kategori, përveç shtëpisë së të moshuarve, ku kriteri kryesor është mbushja e moshës së pensionit.

Mjeku i familjes, Olsi Ristani, konfirmoi se Mimoza vuan nga skizofrenia dhe gjendja e saj përkeqësohet gjatë verës. “Ajo nuk është e aftë të kujdeset për veten dhe shpesh bëhet shqetësuese për komunitetin”, tha ai.

Whatsapp Image 2025 07 07 At 19.36.38 (1)
Whatsapp Image 2025 07 07 At 19.36.38 (1)

Pas ndërhyrjes së punonjësve të Shërbimit Social Shtetëror, rasti është referuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme, ndërsa vlerësimi për kujdestari të përhershëm do t’i kalojë Komisionit Biopsikosocial.

Autoritetet lokale shprehen se janë në ndjekje të rastit dhe premtojnë se do të ndërmerret një zgjidhje e përshtatshme për Mimozën në ditët në vijim.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb