Emisioni “Tak Fak”, një format i ri televiziv në ekranin e News24 dhe domosdoshmëri për një shoqëri në kërkim të drejtësisë dhe zgjidhjes së problemeve, përfundoi me sukses sezonin e parë të transmetimit.

“Tak Fak” show investigativ i drejtuar nga dy emrat e njohur për publikun, Devi dhe Dori, që nga mbrëmja e parë e transmetimit më 17 mars e deri në fund të sezonit, fitoi besimin e audiencës, duke u bërë zëri i qytetarëve në nevojë.

Përmes qindra denoncimeve të mbërritura ne numrin e telefonit të vënë në dispozicion të qytetarëve, emisioni trajtoi problematika nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga përplasjet për prona, mungesat në sistemin shëndetësor, burokracitë që mbysin qytetarët, e deri te padrejtësitë sociale që lënë gjurmë.

Rubrika “Migjenianët” solli histori tronditëse, si ajo e Ordinantit dhe Irenës në Divjakë që humbën shtëpinë nga zjarri, por falë emisionit, po ndërtojnë një banesë të re. Apo rasti i Olgertit në Bilisht, një baba i vetëm me fëmijë me aftësi të kufizuara, që tashmë ka një dritë jeshile për strehim të sigurt.

Por “Tak Fak” nuk ndalet vetëm te tragjeditë. Përmes humorit dhe sarkazmës në rubrikat “Qyfyret” dhe “Vox Pop”, emisioni ka sjellë edhe një pasqyrë të realitetit që jetojmë çdo ditë, qe nga kaosi urban, te skifterët elektrikë dhe rrugët me emra të çuditshëm.

Me mbi 2.8 milionë shikime në YouTube dhe mijëra reagime në rrjete sociale, “Tak Fak” u kthye shumë shpejt në një dritare besimi për qytetarët. “Tak Fak” emisioni më popullor çdo të hënë dhe të mërkurë në orën 20:00, i fton shqiptarët të flasin, të kërkojnë zgjidhje, pse jo edhe të qeshin.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb