* Ministri Naço largohet i pari nga takimi Meta-Idrizi: I uroj suksese kombëtares, unë jam kuq e zi
TIRANE– Në përfundim të seancës së sotme parlamentare, kreu i Kuvendit Ilir Meta është takuar me nënkryetarin e këtij institucioni Shpëtim Idrizi. Takimi i cili zgjati rreth orë në një restorant në Tiranë, është i dyti mes Metës dhe Idrizit brenda pak ditësh.
Në përfundim të takimit prej tre orësh, kryeparlamentari Meta në një prononcim për mediat tha se gjatë këtij takimi është diskutuar për Kuvendin dhe për ndeshjen Shqipëri-Serbi.
Meta deklaroi se takimet e tij me aleatin e koalicionit qeverisës, PDIU-në, janë në harmoni të plotë me kryeministrin, Edi Rama.
“Me Shpëtim Idrizin ishte një drekë e zakonshme. Jemi në harmoni të plotë me Kryeministrin Edi Rama. Diskutuam për Kuvendin dhe ndeshjen Shqipëri-Serbi dhe sot jemi për të parë një kombëtare të suksesshme. Do të marr vajzën e vogël dhe do të iki në Elbasan”, u shpreh Meta pas takimit.
“Nuk jam në dijeni për çështjen e Mark Frrokut që i ka kaluar afati”, tha Meta.
Ndërsa nënkryetari i Kuvendit, Idrizi tha se “sot duhet të jemi të bashkuar. Sot është dita për të meduar si të fitojmë ndeshjen”.
Ditën e djeshme, Qeveria vendosi që PDIU të marrë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme.
Takimit i është bashkuar edhe deputeti i PDIU për Elbasanin, Aqif Rakipi. Por rreth orës 15:45 këtij takimi i është bashkuar edhe ministri i Drejtesisë Nasip Naço.
Takimi i dytë brenda pak ditësh, në axhendë punët e Parlamentit apo të partisë?
Tani edhe të Parlamentit, por dhe të futbollit se kemi ndeshje sot. Z. Idrizi ka qenë dhe futbollist i talentuar dhe kemi disktuar edhe për ndeshjen e sotme.
Takimet e fundit lexohen si një presion që po i bëhen z. Rama. Në fakt a janë këto takime një lloj grupimi brenda mazhorancës?
Absolutisht jemi në harmoni të plotë me kryeministrin Rama dhe të gjithë sot jemi të bashkuar për të parë një kombëtare sa më të suksesshme dhe mbi të gjitha një Shqipëri europiane. Dhe ajo që është më e rëndësishme, është që të gjithë të tregojnë që Shqipëria është një vend europian që di të presë miqtë dhe që di të ndajë futbollin nga politika dhe nga çdo lloj shfaqjeje nacionalizmi.
A pati lëvizje të impulseve brenda koalicionit?
Ishte një drekë e zakonshme dhe normale.
A është LSI për impulse të reja në qeveri dhe a janë shtyrë këto pas reformës në drejtësi?
Po më lodhni kot sepse ju e dini që unë jam anëtar i grupit parlamentar të LSI dhe kryetari i grupit parlamentar z. Petrit Vasili jua ka bërë të qartë se çfarë do të thotë impulse.
A do mblidhet Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet për z. Mark Frroku pasi në datë 2 i ka skaduar afati?
Nuk kam ndonjë informacion, por ne do të bëjmë gjithçka siç e kërkojnë procedurat e Kuvendit.
MINISTRI NAÇO LARGOHET I PARI NGA TAKIMI META-IDRIZI: I UROJ SUKSESE KOMBËTARES, UNË JAM KUQ E ZI
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço është çuar nga tryeza e takimin Meta-Idrizi, edhe pse iu bashkua atyre vetëm pak minuta më parë. Pas kësaj, ministri Naço ka komentuar ndeshjen e sotme Shqipëri-Serbi, duke refuzuar të bëjë komente për ndryshimet në qeveri.
“I uroj suksese kombëtares, unë jam kuq e zi”, tha ministri Naço.
(el.sp/BalkanWeb)
