Luan Hallulli, kryetar i shoqatës italo-shqiptare të Abrucios, për rubrikën “Opinion” në News24 tha se Kryeministri Edi Rama nuk ka qenë në favor të diasporës asnjëherë, por gjithsesi atij iu rezervua një pritje shumë e mirë në Milano.

Hallulli tha se diaspora shkoi në takimin e Edi Ramës meqë ishte një ditë pushimi dhe pjesëmarrësit kanë shkuar me mendimin “hajde ta dëgjojmë edhe njëherë, se çfarë do të na gënjejë”.

Ai tha se e vetmja kërkesë që ka diaspora në 30 vjet është vota, e drejta e votës. “Pse nuk na jepet e drejta e votës. Tjetra është fakti pse nuk njihen pensionet në Itali, është një premtim që Rama e bën vazhdimisht njëlloj si puna e atyre rrugëve që shkon i inauguron nga 20 herë”, tha Halluli.

Ai tha se politikat e Edi Ramës janë kundra interesave të popullit shqiptar. “Edi Rama është i fortë me të dobëtit, por nuk është aspak i fortë me të fortit. Edhe në politikë, Edi Rama ka vetëm një qëllim t’i ulë kokën çdo partie, të shkrijë çdo parti”, tha Hallulli.

Ai u shpreh se nuk beson se diasporës do ti jepet e drejta e votës, pasi kjo nuk ka ndodhur deri më tani dhe nuk ka për të ndodhur tani kur janë vetëm pak muaj para zgjedhjeve.

“Ne kemi dëshirë të mbrojmë të drejtat e diasporës, askush nuk i di më mirë se ne problemet tona. Në bankat e Parlamentit shqiptar prej 15 vitesh flenë propozimet tona që të na mundësohet e drejta e votës. E bëri Kosova, e kanë bërë vendet skandinave, ndërsa në Shqipëri nuk e duan një gjë të tillë”, tha ai.

Hallulli tha se në Shqipëri janë 2 milionë shqiptarë, atëherë pse nuk i ngre pensionet pensionistëve, pagesat invalidëve, të ndihmojë njerëzit në nevojë.

“Nuk ka plotësuar asnjë premtim, asnjë kusht për qytetarët shqiptarë, s’ka asnjë pozitivitet, pse ikin të rinjtë nga Shqipëria, pse largohen në Gjermani, Itali, Holandë? Sepse nuk ka pozitivitet, nuk ka shpresë”, tha Hallulli.

Ai u shpreh se diaspora duhet të vijë në Shqipëri dhe të kandidojë në zgjedhje, të përfaqësohet vetë në Kuvend, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e diasporës. “Duhet të ndryshojë ligji, në mënyrë që vota të shkojë te individi, jo te partia. Nëse unë kandidoj në Tiranë apo Durrës, votat e mia të mos i shkojnë partisë, por të jenë votat e mia, të numërohen.”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb