Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se opozita duhet të zhvillojë një aksion të përditshëm për të folur me qytetarët. Në një intervistë në “News24”, Mediu komentoi edhe takimet e Ervin Salianjit, duke thënë se është mirë që takimet të mos fokusohen vetëm në Tiranë.
“Unë nuk mendoj që opozita ke njerëz tepër. Por ka nevojë të rikthejë marrëdhëniet e saj. Nuk mendoj që opozita duhet bërë vetëm në Tiranë. Duhet bërë në çdo skaj të Shqipërisë, duke respektuar edhe mendimet ndryshe. Cdo gjë duhet të vijë në funksionim sa më të mirë. Është mirë të ngrihen vlera të reja politike”, tha Mediu.
Gjithashtu Mediu theksoi se opozita duhet të ndërtojë një raport më të fortë me qytetarët, duke shtuar se me gjithë skandalet që kanë ndodhur, përpjekja e opozitës nuk mund të mjaftohet vetëm me reagimet në Kuvend
“Në këtë situatë që është opozita duhet të bëjë çdo përpjekje. Pasi nuk mundet të ngrihen qytetarë bullgarë dhe të mos ngrihen qytetarë shqiptarë. Po ashtu edhe në Serbi. Pra duhen para elementët që duhet të sensibilizojë opozita. Por ajo që kam shqetësim është se opozita duket sikur ngelet vetëm në Tiranë. Duhet të ndërtohet një raport i fortë me qytetarët”, tha ndër të tjera ai.
