Kreu i PD, Sali Berisha, ka replikuar me anëtarin e Kryesisë së PD, Ervin Salianji, në mbledhjen e kryesisë, ku takimet e kryera prej Salianjit në disa qytete me strukturat e PD, i ka cilësuar private.
Salianji i është përgjigjur se nëse në takime private mblidhen aq shumë njerëz, vetëm mirë i bëjnë PD-së.
“Të dalë secili të mbledhë aq njerëz në çdo zonë dhe ne i mbushim sheshet”, i është përgjigjur Salianji-Berishës.
Ervin Salianji: Mendova që sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Sot, me këtë, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë, por nëse doni për demokratët, ja e bëjmë. Do më keni me cel në dorë për të denoncuar këdo që bashkëpunon me qeverinë.
Bledi Himçi: Mbi interesat personale nuk mund të shesim idealet e PD-së.
Të bësh profanin duke akuzuar deputetët që kanë bërë gabim se kanë firmosur për Endri Shabanin, kur ti ke qenë iniciatori për mbledhjen e firmave për Endri Shabanin, kjo nuk të nderon dhe nuk ka moral. Mua ma ke kërkuar personalisht ti dhe unë nuk pranova të firmosja. Ua ke kërkuar edhe kolegëve të tjerë dhe ata, në mirëbesim, ta dhanë.
Nuk mund të qëndrojnë në Partinë Demokratike edhe demokrati idealist, edhe pazarexhiu. Nuk mund të qëndrojnë në PD edhe militanti, edhe ai që helmon çdo ditë në media apo rrjete sociale, në emër të faktit që po i dhimbsen demokratët, ndërkohë që kanë punuar hapur në zgjedhjet e 11 majit.
Ervin Salianji: As kam qenë në Elbasan këtë periudhë, as kam bërë takim deri tani. Ndërkohë, çfarë të them, të kanë detyruar ta thuash dhe e thua, por kujtohu se po e shoh që as emrin nuk e paske në listë. Qesharak mund të bëhesh edhe me vetëdije.
Sali Berisha: Takimet i kam konsideruar private.
Ervin Salianji: Nëse në takime private mblidhni aq shumë njerëz, vetëm mirë i bëni PD-së. Të dalë secili të mbledhë aq njerëz në çdo zonë dhe ne i mbushim sheshet.
