Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, kanë zhvilluar takimin e tyre të parë kokë më kokë, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që po mbahet në Shenzhen të Kinës.
Takimi zgjati rreth 30 minuta. Lajmi u konfirmua për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) nga një zyrtar i Ministrisë së Jashtme japoneze, i cili bëri të ditur se biseda mes dy liderëve u zhvillua gjatë darkës zyrtare.
Sipas mediave japoneze, gjatë diskutimit Takaichi i ka përcjellë Putinit shqetësimet e Tokios lidhur me disa çështje që kanë tensionuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në fokus ishte ndalimi nga autoritetet ruse i një gazetari japonez, i cili është arrestuar dhe akuzuar për spiunazh. Një tjetër çështje e ngritur nga kryeministrja japoneze ishte sekuestrimi i fundit i aseteve të kompanisë Japan Tobacco në Rusi.
Sipas raportimeve, bisedimet zgjatën rreth gjysmë ore dhe të dy udhëheqësit ranë dakord të mbajnë të hapura kanalet e komunikimit në nivele të ndryshme, pavarësisht mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.
Pjesëmarrja në samitin e APEC-ut shënon gjithashtu vizitën e parë të Sanae Takaichit në Kinë që nga marrja e detyrës si kryeministre e Japonisë në vitin 2025.
Marrëdhëniet mes Tokios dhe Pekinit janë përkeqësuar pas deklaratave të Takaichit lidhur me Tajvanin, të cilat kanë shkaktuar reagime të forta nga autoritetet kineze.
Në këtë kontekst, takimi me Putinin zhvillohet në një periudhë tensionesh diplomatike për Japoninë, e cila po përballet me mosmarrëveshje si me Moskën, ashtu edhe me Pekinin.
