Kryeministri Edi Rama, është takuar sor me me Komandantin e Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara në Europë dhe Afrikë.
Rama tha që ky takim vjen në kuadër të hapave që Shqipëria po ndërmerr për rilindjen e industrisë ushtarake, si edhe për ecurinë e projekteve të Korridorit VIII dhe Portit të Ri të Durrësit.
Edhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka postuar takimin mes Ramës dhe Admiralit amerikan, i cili nga ana e tij e falënderoi Shqipërinë për angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e aftësive logjistike të Aleancës së NATO-s përmes investimeve kombëtare.
Postimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë:
Sot, Admirali Stuart Munsch, Komandanti i Forcave Detare të SHBA për Europën dhe Afrikën si dhe i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli u takua me Kryeministrin Edi Rama për të diskutuar partneritetin e fortë në fushën e sigurisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si dhe angazhimin e përbashkët ndaj Aleancës së NATO-s.
Admirali Munsch e falënderoi Shqipërinë për angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e aftësive logjistike të Aleancës së NATO-s përmes investimeve kombëtare në porte dhe infrastrukturë portuale, siç është Porto Romano.
