Avokati Redon Meksi, djali i ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, ishte i pranishën në takimin e zhvilluar në Tiranë nga Ervin Salianji me qytetarët, ku nuk munguan kritikat ndaj kreut aktual të Partisë Demokratike.

Gjatë fjalës së tij, Meksi u shpreh se iu bashkua Rithemelimit me shpresën se Sali Berisha do të hapte Partinë Demokratike dhe do të punonte për interesat e shqiptarëve, por sipas tij situata në vend dhe brenda PD-së është përkeqësuar.

Meksi theksoi se sulmet ndaj personave që mendojnë ndryshe brenda partisë pengojnë arritjen e fitores politike dhe bëri thirrje për reformim të Partisë Demokratike.

“Anëtarësia duhet të kuptojë se nëse sulmohen ata që mendojnë ndryshe nuk do arrihet kurrë fitorja. Ju anëtarë dhe ne bashkë duhet të luftojmë për të reformuar PD”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, avokati bëri një krahasim me lëvizjen që çoi në largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së, duke deklaruar se e njëjta gjë duhet të ndodhë tashmë edhe me Berishën.

“Iu bashkova Rithemelimin me shpresën se Berisha duke hapur PD do punonte për shqiptarët. Por Shqipëria në këto momente ndodhet në pikën më të keq. Nuk ka më anëtarësi që t’i dëgjohet zëri. Anëtarësia duhet të kuptojë se nëse sulmohen ata që mendojnë ndryshe nuk do arrihet kurrë fitorja. Ju anëtar dhe ne bashkë duhet të luftojmë për të reformuar PD. Siç i bë mbledhja e madhe për të larguar Bashën, sot është po e njëjta gjë të bëhet po e njëjta gjë me Berisha”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb