Në vijim të takimit të zhvilluar nga Ervin Salianji me demokratët dhe të rinjtë në Fier, mjeku Besnik Brahimaj, anëtar i Partisë Demokratike që nga viti 1992, shprehu mbështetjen e tij për liderin e ri dhe nevojën për rinovim brenda partisë.

“Jam krenar që sot marr pjesë në këtë sallë, ku shoh vetëm të rinj, përfshirë edhe Ervin Salianjin që është i ri dhe i angazhuar për frymë të re politike. Tranzicioni ka qenë shumë i gjatë dhe i vështirë, nuk e durojmë më. Brezi i vjetër duhet të lëshojë karriget dhe krahun për brezin e ri, që të udhëheqë jo vetëm PD-në, por dhe rininë shqiptare,” tha Brahimaj.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë së Saliajnit përballë presioneve dhe shantazheve brenda partisë: “Mendoj se duhet ta mbështesim Salianjin që të mos i dorëzohet presioneve dhe të vazhdojë rrugën për të dalë në krye të PD-së, për të përballuar mandatin e Edi Ramës.”

Takimi vijoi me pjesëmarrjen e demokratëve të rinj dhe mbështetësve të Salianjit, duke reflektuar interesin për një rinovim të brendshëm dhe forcimin e lidershipit të partisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb