Sokol Brahaj, gazetar në Turqi, ka folur për News24 lidhur me takimin e pritur mes kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, që pritet të zhvillohet në Ankara.
Sipas Brahajt, ky takim vjen si pjesë e një serie takimesh mes dy vendeve, në një kohë kur në Mesdhe janë krijuar disa aleanca të reja dhe dinamika të ndjeshme gjeopolitike. Ai thekson se NATO nuk është e interesuar për përshkallëzime apo përplasje mes vendeve aleate, veçanërisht mes Greqisë dhe Turqisë, të cilat historikisht kanë pasur mosmarrëveshje të shumta.
“Mes Athinës dhe Ankarasë ekzistojnë disa probleme të vjetra, që lidhen kryesisht me vijën kufitare detare dhe çështjen e pakicave turke në Greqi. Megjithatë, pavarësisht këtyre tensioneve, ekziston një presion i qartë nga Shtetet e Bashkuara që të mos ketë lëkundje apo konflikte mes aleatëve të NATO-s,” u shpreh Brahaj.
Ai shtoi se SHBA-të aktualisht janë të përqendruara në disa kriza dhe prioritete të mëdha ndërkombëtare, si tensionet me Iranin, lufta në Ukrainë, si edhe çështje të tjera strategjike që lidhen me Kinën, Kubën dhe rajone të tjera. Në këtë kontekst, çdo përplasje serioze mes Greqisë dhe Turqisë do të konsiderohej e papranueshme nga Uashingtoni.
“Një problem i hapur me Greqinë, në kushtet aktuale, do të shihej si i pafalshëm nga SHBA-të,” theksoi Brahaj, duke nënvizuar se takimi Mitsotakis–Erdogan pritet të ketë si synim kryesor uljen e tensioneve dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.
