Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u takua sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç , në New York. Ata diskutuan zhvillimet e fundit në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor, njofton nga burime pranë OKB-së gazeta zvicerane në gjuhën shqipe Le Canton27.ch.

Mësohet se gjatë këtij takimi të shkurtër të shefit të OKB-së me Vuçiç kanë biseduar kryesisht për zhvillimet ne Serbi, aktin e terroristëve serbë në Bansjkë 14 shtatorin e kaluar dhe mosdorëzimin e kriminelit serb, Milan Radoiçiç të kërkuar nga Interpol-i, për situatën në veri të Kosovës si dhe krizën e dialogut me Brukselin.

Ndërkohë më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç duke folur për mediat ka dhënë një deklaratë paradoksale pas Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet rezoluta për gjenocidin e Srebrenicës. Vuçiç thotë se votimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë do ta çojë Bosnje Hercegovinën drejt ndarjes.

Madje pretendon se ka boshnjakë që janë kundër asaj rezolute që dënon gjenocidin që Serbia kreu mbi boshnjakët gjatë luftës në Bosnje.

Ai ka thënë se boshnjakët nuk pajtohen brenda Bosnje-Hercegovinës për rezolutën për Srebrenicën, si dhe për votimin në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës, që çon në ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës, raporton Slobodna Bosna

“As për rezolutën për Srebrenicën nuk është arritur marrëveshje, e çfarë u intereson atyre. Meqenëse, supozoj, ai është përfaqësues i boshnjakëve në Këshillin e Evropës, ata do të votojnë si të duan dhe të duan”, tha Vuçiq.

Ai tha se nuk ka asnjë pronësi të Bosnjes mbi dokumentin që ambasadori i Bosnje Hercegovinës në OKB, Zlatko Lagumxhija ia dorëzoi OKB-së.

“Ai as që pyeti, natyrisht. Ata nuk kanë pëlqim brenda Bosnje dhe Hercegovinës. Kjo do të thotë ndarje në vetë Bosnjen”, tha Vuçiç për RTS.

“Rezoluta për Srebrenicën hap një kuti të Pandorës nga e cila do të dalin vetëm problemet dhe ndarjet shtesë në botë. Një ditë pas kësaj, rusët do të paraqesin një kërkesë për një rezolutë që dënon gjenocidin gjerman kundër popullit rus dhe sovjetik. Dhe ne do të bëjmë për atë që bënë gjermanët dhe për atë që bënë kroatët dhe shumë të tjera”, tha Vuçiç.

“Thelbi i iniciativës për miratimin e një rezolute për Srebrenicën është dënimi kolektiv i popullit serb dhe presioni shtesë ndaj një vendi sovran që ka institucionet e veta dhe nuk është vetëm një faks që nënshkruan gjithçka që i është urdhëruar”, tha Vuçiç duke pretenduar se kjo është një tjetër përpjekje për të mashtruar publikun.

Vuçiç bëri të ditur se në Nju Jork do të takohet me përfaqësuesen e Kinës, nga e cila pret mbështetje të fuqishme dhe me së paku 30 përfaqësues të vendeve të Paqësorit, ku siç tha ai, Serbia nuk ka pozitë të mirë për shkak të së kaluarës.

“Jam krenar për mënyrën se si kemi luftuar në Nju Jork. Ne luftojmë deri në kufijtë përfundimtarë fizikë. Nuk kemi vend të shenjtë më të madh se Serbia dhe e mbrojmë atë”, tha Vuçiç i dëshpëruar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb