KOSOVË- Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Bryan Yee, është takuar sot në Prishtinë me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Gjatë takimi u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë në kuadër të dialogut që po zhvillohet në Bruksel dhe përmbushjen e obligimeve të Kosovës karshi bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas zyrës së shtypit të Presidentes, Jahjaga citohet ta ketë vlerësuar marrëveshjen e arritur në Bruksel për çështjen e drejtësisë si “pozitive dhe si një hap drejt vendosjes së ligjit e rendit në pjesën veriore të Kosovës, përmes një sistemi unik të drejtësisë për gjithë vendin, dhe në respektim të ligjeve të Kosovës, por tha se procesi i dialogut duhet të jetë plotësisht i hapur dhe transparent për qytetarët”.

Ndërsa Yee citohet të ketë vlerësuar “rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel”. Më tej ka shtuar se ky proces duhet të vazhdojë, meqë çon drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe siguron stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit tha se Kosova tani duhet punojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit, të thellojë reformat në vend duke punuar në zhvillimin ekonomik që ndihmon perspektivë të qartë evropiane për Kosovën.

Një pikë e bisedës në të cilën u ndalën Jahjaga dhe Yee ishte largimi masiv i qytetarëve nga Kosova. Sa i takon kësaj çështjeje Jahjaga tha se “institucionet e vendit tani duhet të bëjnë më shumë në vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit që do të mundësojë edhe hapjen e vendeve të punës por edhe do të ndihmojë perspektivën e qytetarëve”.
(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb