Kryetari i PD Sali Berisha, pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, ka prezantuar disa nga masat kryesore të programit ekonomik të PD, duke e cilësuar atë si një përgjigje ndaj problemeve të akumuluara ndër vite.

Sipas Berishës, programi synon të lehtësojë barrën fiskale për qytetarët dhe bizneset, të ulë çmimet e energjisë dhe karburanteve, si dhe të nxisë prodhimin vendas. “Taksa e pronës do të ulet me 500%, çmimi i energjisë për bizneset do të bjerë trefish, çmimi i naftës do të ulet me 40% dhe tatimi mbi të ardhurat do të zbresë në 10%,” deklaroi ai.

Një tjetër fokus i rëndësishëm do të jetë formalizimi i turizmit, për të cilin Berisha theksoi se aktualisht është 8-10 herë më informal krahasuar me Kroacinë dhe Malin e Zi. “Shqipëria prodhuese do të jetë motoja jonë. Do të nxisim prodhimin dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë,” tha ai.

Sa i përket kujdesit shëndetësor, Berisha kritikoi modelin aktual të “shëndetësisë falas”, duke e quajtur atë një dështim. Ai premtoi dyfishim të buxhetit për shëndetësinë dhe garantimin e të njëjtave standarde mjekimi dhe ilaçesh si në vendet e rajonit. “Nuk mund të mungojnë më kurrë ilaçet si sot,” u shpreh ai.

Programi i PD, sipas tij, është një plan konkret për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës në Shqipëri.

“Programi i PD jep përgjigje problemeve të akumuluara ndër vite. Taksa e pronës do ulet me 500%. Çmimi i energjisë për bizneset do ulet 3 herë ose 300%. Çmimi i naftës do ulet me 40%. Tatimi mbi të ardhurat zbret në 10%… Do nxitet prodhimi. Shqipëria prodhuese do të jetë motoja jonë. Turizmin do ta formalizojmë. Statistika turistike thotë se informaliteti i turizmit është 8-10 herë më i madh se në Kroaci dhe Mal të Zi. Prandaj edhe ato shifra. Ne nuk premtojmë shëndetësi falas se kjo solli tragjedinë e këtij sistemi që kemi sot, por premtojmë dyfishim të buxhetit të kujdesit shëndetësor, garantojmë të njëjtat standarde mjekimi dhe ilaccesh si në vendet e tjera të rajonit. Nuk mund të mungojmë më kurrë ilaçet si sot
“, tha Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb