Ka nisur mbledhja e Grupit Parlamentar të PD. Kreu i PD Sali Berisha përshëndeti marrëveshjen e arritur për armëpushimin 2 javor. Më tej Berisha u ndal te situata aktuale, si rritja e çmimit të naftës dhe ushqimeve në Shqipëri duke thënë se opozita kërkon përmbysjen e sistemit aktuale fiskal.

“Shpreh vlerësimin tim, tonin, për armëpushimin e arritur në luftën në Gjirin Persik, midis SHBA , Izraelit dhe Iranit. Le të urojmë që ky armëpushim të shndërrohet në një marrëveshje paqe të qëndrueshme për vendet dhe popuj të këtij rajoni. Rajon siç faktohet i një rëndësie nevralgjike dhe strategjike për energjinë e botës. Lidhur me pasojat për situatën në Shqipëri, për çmimin e naftës, padiskutim që lufta e Gjirit Persik në Shqipëri e mbarë botën, ka ndikuar në çmimin e naftës. Pavarësisht nga arritja e marrëveshjes me ndërmjetësimin e  Pakistanit, pasojat e krijuara nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit dhe goditja nga Irani dhe agresioni i tij ndaj impiante të gazit e naftës, kërkojnë javë e muajt për t’u normalizuar. Ndaj Grupi ynë parlamentar, opozita kërkon përmbysjen e sistemit fiskal aktual mbi litrën e naftës. Pasi është sistem ndëshkues, mbi qytetarin shqiptar. Pasi ka një taksë që penalizon më shumë ata që nuk kanë vetura se ata që kanë po të proporcionalizohet të ardhurat. Sigurisht penalizon edhe ata që kanë vetura, por më shumë fermerët, pensionistët, të gjithë popullatën tjetër me rritjen e çmimeve. Rritje të çmimit të transportit, ushqimeve etj..”, tha më tej ai, duke shtuar: ““Asgjë nuk ndikon më shumë se nafta te xhepat e qytetarëve. Si mundet të justifikohesh para qytetarëve, kur vendos taksën më të lartë se Singapori, apo vendet e tjera të botës. Çmimin e naftës e përcakton taksa. Nëse e proporcionin me të ardhurat, një gjerman shpenzon për naftën 1.125% të të ardhurave ditore, një shqiptar shpenzon 7.3% të të ardhurave ditore, pra 6 herë më shumë. Tokat dierrë po shtohen, bagëtitë theren se ushqimi i tyre rritet. Të gjitha këto sirena që bien injorohen në mënyrën më të papërgjegjshme nga Rama. Kemi dy vende përreth, s’po marrim asnjë shembull tjetër, por mund t’i referohemi Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut. Asnjë qëndrim i përgjegjshëm, por vetëm mashtrime”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: