Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për mediat, ndërsa ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Ramën sa i takon ironive të këtij të fundit për presidentin Trump.
Dje në Kopenhagen, Rama u tall me presidentin amerikan lidhur me ngatërresën e tij kur foli për arritjen e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
“Dje shqiptarët, europianët dhe qytetarët e mbarë botës panë se kreu i organizatës kriminale të Tiranës është njëherashi edhe klouni ndërkombëtar. Edi Rama shfrytëzoi samitin e Bashkimit Politik të Europës për të përqeshur, për t’u tallur me presidentin e SHBA. Konkretisht, me një proces të suksesshëm paqeje siç ishte paqja e Kaukazit. Edi Rama, kllounadën e tij, që e filloi në sallën e samitit, e vazhdoi më vonë me mediat, duke bërë të njëjtat deklarata.
Në një akt të verbër, kukulla e Xhorxh Sorosit, mendoi se ky është shërbimi më i madh që mund t’i bëjë këtij të fundit. Por ky është shërbimi më i keq që Edi Rama mund t’u bëjë shqiptarëve. Ky është shërbimi më i keq që Edi Rama mund t’i bëjë Europës. Në darkë u përpoq të marrë kthesën duke dëshmuar edhe njëherë se sa hipokrit dhe i pakarakter është. Kam sjellë këtu jo kllounadën e tij me paqen e Kaukazit, por kam sjellë deklaratat e tij zyrtare për të kuptuar se çfarë hipokriti dhe i pakarakter është.
Me datën 1 shtator të vitit 2025, në forumin e Bledit në Slloveni, kukulla e Xhorxh Sorosit, Ramaduro, në fjalën e tij theksoi: askush nuk mund të thotë se ka ndonjë lloj paqartësie, por besoj se Europa nuk duhet të presë se çfarë do të ndodhë në anën tjetër të oqeanit me planin e paqes për Ukrainën. Europa është përmbi të gjitha paqe, është kultura e paqes, është paqja në kulturë.
Sipas tij, Europa-paqe nuk duhet të pyesë SHBA-luftë apo Europa-kultura e paqes, paçka se ka shkaktuar dy tragjeditë më të mëdha botërore të të gjitha kohërave, luftën e parë dhe luftën e dytë, qenka kultura e paqes, kurse urat e zjarrit del se paskan ardhur nga përtej Atlantikut.”, tha ai.
