Mes lotësh, spektaklit dhe duartrokitjeve pafund, Argjentina i jep lamtumirën Lionel Messi-t, idhulli i kombit të tij, një prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit Botëror, mbase më i miri. Miqësoja ndaj Benin, ishte “tango” e fundit e “pleshtit” me ekipin përfaqësues, të gjithë u kujdesën që të ishte e paharrueshme, madje edhe vetë Messi, i cili dhuroi dy assiste për Otamendin dhe Nico Paz, ndërsa konvertoi në gol dhe një penallti, duke u larguar si lider dhe hero.

Në “Buenos Aires”, në minutën e 10-të, sfida u ndërpre, ku tifozët nisën të duartrokasin, ndërsa organizatorët shpërthyen fishekzjarrë pafund duke krijuar një atmosferë fantastike. Në fundin e ndeshjes, i rrethuar nga shokët e ekipit përfaqësues dhe familjarët e tij, mes lotësh, Messi u shpreh: “Jam krenar që jam argjentinas. E vërteta është se nuk dua të largohem nga këtu, nuk dua ta lë fushën. Nuk jam mësuar të flas shumë, dua vetëm t’iu them se ju dua shumë, do të më mungoni. I jam mirënjohës zotit që jam argjentinas”, u shpreh Messi.

Federata Argjentinase ishte kujdesur deri në detaj për ta kthyer këtë natë në një kujtim të bukur për Messin dhe për popullin Argjentinas. 85 mijë bileta, aq sa është kapaciteti maksimal i stadiumit, u shitën brenda 90 minutave. Në kushte normale një biletë do të kushtonte 60 dollarë, por u shitën për 300, ndërsa një pjesë e madhe u rishitën më pas duke kapur edhe shifra mbi 2500 dollarë.

Për të nderuar Messin në fushë zbritën edhe fituesit e Botërorit në vitet 1978, 1986 dhe 2022. Në moshën 39 vjeçare, pas 21 viteve me fanellën e ekipit përfaqësues, Messi largohet si hero duke i dhuruar vendit të tij 1 trofe të Kupës së Botës, 2 Copa Amerika dhe 1 Finalisima. Në 208 ndeshje, Messi realizoi 126 gola dhe 67 assiste, thjesht një ikonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: