Në një javë të vetme, Juve sheh t’i shkatërrohet thuajse i gjithë sezoni. Pas eliminimit nga Champions, “Zonja e Vjetër” pëson një tjetër goditje të fortë, me Empolin që i nxori nga Kupa duke bërë që objektivi i vetëm të mbetet Serie A, por kaq tani mund të mos mjaftojë më:

“Motta, vendi i katërt nuk mjafton më. Në fund të sezonit mund të shkarkohet”, shkruan La Gazzetta.

I shkatërruar pas këtij takimi u shfaq Thiago Motta, i vetëdijshëm se ky eliminim rëndon shumë: “Ndihem i turpëruar. Kemi bërë një pjesë të parë të turpshme, shpresoj që edhe lojtarët të kenë këtë ndjesi, këto emocione. Gabova unë, me sa duket nuk ja kam shpjeguar si duhet lojtarëve rëndësinë e këtij takimi. Është vetëm faji ynë që nuk jemi në gjysmëfinale, ata e merituan. Shpresoj që kritikat të jenë të forta. Duhet të kërkojmë falje, kemi prekur fundin”, u shpreh Motta.

Pas ndjesës, trajnerit të Juves nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të shoh përpara: “Unë besoj te skuadra, kemi lojtarë me kualitet, por duhet ndryshuar sjellja, qasja jonë, duhet të japim gjithçka në fushë, duhet të respektojmë historinë e këtij klubi”, theksoi Motta.

Mediat italiane bashkohen të gjitha në një pikë, nëse Juve nuk arrin katër vendet e para në Serie A atëherë Motta-n e pret shkarkimi i sigurt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: