Profesori Andi Hoxhaj, në një intervistë me Skype në News 24 foli për tarifat që presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur ndaj vendeve të botës. Hoxhaj tha se Trump po bën gjithçka që të mbrojë kompanitë amerikane, duke dashur më shumë investime në SHBA.
“Donald Trump premtoi në fushatë, tha se do bënte gjithçka që të mbrojë kompanitë amerikane. Ai e shikon si mundësi të mirë, që të ketë më shumë investime në SHBA. Trump po mbështet ekonominë e brendshme. Ekonomia amerikane ka për të pasur një impakt, çmimet që vijnë nga SHBA do vijnë të shtrenjta. Edhe vendet e BE kanë thënë se do ia kthejnë me të njëjtën monedhë. Luftë tregtare në këtë nivel kemi parë vetëm në vitin 1930. Donald Trump ka thënë se amerikanët do të vuajnë disi nga xhepat, por se është i vendosur në këtë politikë ekonomike. Më e dëmtuara është Kina, sepse ka përqindje të madhe tarife. Trump po inkurajon amerikanët që të blejnë makina elektrike amerikane dhe jo kineze apo nga tjetër shtet”, tha Hoxhaj.
Duke folur për tarifat ndaj Shqipërisë e Kosovës, që janë 10 përqind, Hoxhaj deklaroi se impakti mbi ekonomitë e vendeve tona do jetë tepër i vogël. Ai shtoi se SHBA, luftën më të madhe tregtare e ka me Kinën.
“Impakti mbi ekonominë tonë nuk ka për të qenë i madh. Natyrisht për Serbinë është më e rëndë dhe më e madhe. Me Serbinë, SHBA ka edhe ndasi të tjera gjeo-politike, duke i vendosur më tepër presion mbi Beogradin. Impakti ndaj ekonomisë së Shqipërisë është simbolik. SHBA vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë e Kosovën. Ne jemi anëtar të NATO-s, bashkëpunojmë në shumë fusha. Luftën më të madhe tregtare e ka me Kinën, pasi ka vënë tarifë 56 përqind. Trump nuk ka vënë tarifa ndaj Rusisë, sepse me Moskën ka dialog për Ukrainën, do që të zbusë marrëdhëniet me shtetin rus, për të vënë paqe në Ukrainë. Shqetësimi i Trump janë armët bërthamore”, u shpreh Hoxhaj.
Më tej, Hoxha komentoi planet e Donald Trump për të marrë Groenlandën. Ai tha se Trump dëshiron që të hyjë në historinë amerikane.
“Groenlandën kanë dashur ta blejnë disa presidentë pas Luftës së Dytë Botërore. SHBA e kërkon Groenlandën sepse aty ka pasuri të çmuara. SHBA e kërkon ekzaktësisht Groenlandën sepse ka 47 minerale që janë te vlefshme për prodhim të baterive, që janë 1 km e gjysmë nën akull. SHBA ndoshta e merr me ushtri, sepse Danimarka është vend i vogël dhe ndoshta s’do kishte fuqi ta mbronte. Por mendoj se kjo nuk do të ndodhë. Trump dëshirojë të marrë Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë, që të shtojë territorin e SHBA. Trump ka thënë se Kina ka shumë kontroll në Kanalin e Panamasë. A do i arrijë t’i ketë a jo, këtë pritet ta shikojmë. Por duhet respektuar çdo shtet sovran”, u shpreh Hoxhaj.
(d.xh-Balkanweb)
