Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se BE-ja do të “ngrihet në këmbë” nëse interesat e saj do të cenohen nga kërcënimet e Trump.

Ndërsa liderët evropianë kërkuan bisedime, Macron u zotua se do ketë përgjigje të fortë nëse është e nevojshme ndaj tarifave ndëshkuese.

“Nëse sulmohen interesat tona komerciale, Europa si një fuqi e vërtetë, do të duhet të respektohet dhe për këtë arsye do të reagojë.  Zgjedhjet dhe deklaratat e fundit nga administrata e presidentit të ri të SHBA-së  po e shtyjnë BE-në të jetë më e bashkuar dhe më aktive për t’iu përgjigjur çështjeve të sigurisë kolektive”, tha presidenti francez teksa mbërriti për një takim me liderët e tjerë në Bruksel.

Trump vendosi tarifa të larta për mallrat e importuara nga Kanadaja, Meksika dhe Kina të shtunën duke shkaktuar reagime nga të tre vendet.

Ai tha të dielën mbrëma se tarifat e reja ndaj BE-së janë në shqyrtim.  Presidenti amerikan përsëriti ankesat e kahershme për madhësinë e deficitit tregtar të SHBA me BE-në dhe kërkoi që Evropa të importonte më shumë makina dhe produkte bujqësore amerikane.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se nuk kishte një afat kohor specifik për tarifat ndaj Evropës, por tha se  do të ndodhë shumë shpejt.

“Bashkimi Evropian na ka trajtuar tmerrësisht keq”, u tha ai gazetarëve të premten.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: