TIRANE- Drejtoria e Tatimeve, informon se Udhëzimi nr. 19, “Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, përcakton edhe procedurat për mënyrën e çregjistrimit të fermerëve.
Sipas këtij udhëzimi, fermeri çregjistrohet në mënyrë vullnetare, nëpërmjet aplikimit për çregjistrim, sipas formularit të miratuar për këtë qëllim, duke dorëzuar në të njëjtën kohë certifikatën e NIPT-it në Drejtorinë Rajonale Tatimore, në të cilën kjo certifikatë është lëshuar. Drejtoria Rajonale Tatimore evidenton në regjistrin tatimor datën e dorëzimit të NIPT-it prej fermerit duke e bërë të pavlefshëm këtë NIPT.
Në rast vdekjeje të fermerit, çregjistrimi kryhet duke depozituar dokumentin përkatës dhe duke dorëzuar në të njëjtën kohë certifikatën e NIPT-it e cila është lëshuar në emrin e tij.
Çregjistrimi i fermerit dhe dorëzimi i certifikatës së NIPT-it në Drejtorinë Rajonale Tatimore, përveç se bëhet për qëllime deklarimi, është i domosdoshëm për të shmangur keqpërdorimin e NIPT-it, pasi bën të pavlefshme çdo faturë tatimore në të cilën ky NIPT është shënuar, të lëshuar pas datës së çregjistrimit të fermerit.
DPT tërheq vëmendjen se personi i tatueshëm, që ka përfituar zbritjen e TVSH-së së shënuar në faturën e lëshuar në emrin dhe për llogari të fermerit të çregjistruar, pas datës që çregjistrimi i tij ka hyrë në fuqi, nuk i lejohet të zbresë TVSH-në përkatëse dhe ndërkohë nëse e ka zbritur atë TVSH në shkelje të procedurës, i kërkohet të paguajë 100% TVSH-në e zbritur padrejtësisht.
(BalkanWeb)