Nga: ZONJA VJOLLCA*
700 gr mish qingji
500 gr domate
4 kokrra qepë
1 thelpi hudhër
1 spec i kuq
1 spec i kuq djegës
200 gr bishtaja të holla
400 gr kërpudha
500 ml verë të bardhë
2 lgj salcë domateje
150 gr djath
3 lgj vaj ulliri
1 lgj gjalpë
Trumzë
Rozmarinë
1 lk sheqer
Kripë
Piper i zi
Për të realizuar këtë recetë duhet që mishi të marinohet për rreth 5 orë. Në këtë marinim do të përdorim 1 thelpi hudhër të prerë në feta, trumzë e freskët dhe vaj ulliri. Vendosim copat e mishit të marinuar në frigorifer dhe i nxjerrim nga frigoriferi 1 orë para fillimit të gatimit.
Vendosim domatet në ujë të ngrohtë heqim lëkurën, i pastrojmë nga farat dhe lëngu dhe i presim në feta të mëdha. Bishtajat e pastruara dhe të lara i kalojmë në ujë të vluar me kripë derisa ato të ziejnë mjaftueshëm (jo shumë të buta).
Vendosim një tigan në zjarr dhe karamelizojmë në të sheqerin e shuajmë më pas me verë të bardhë, e lemë verën të marrë pak valë dhe më pas shtojmë domatet.
Në një tjetër tigan shkrijmë gjalpin kaurdisim kërpudhat sa të marrin ngjyrë kafe, më pas i largojmë mënjanë. Në të njëjtin tigan kaurdisim qepën me specin e kuq dhe me specin djegës. Sapo qepa të fillojë të zbutet shtojmë kërpudhat, kripë dhe piper të zi. I trazojmë duke shtuar dhe bishtajat e ziera, domatet e shuara me verë, salcën e domates dhe erëzat. Pasi të jenë gatuar së bashku për disa minuta i vendosim të gjithë përbërësit e tiganit në një tavë.
Skuqim dhe mishin e marinuar dhe e vendosim në tavë. E spërkasim të gjithë sipërfaqen me djathë, trumzë dhe rozmarinë dhe e vendosim në furrë në temperaturën 220 gradë Celsius për 20 minuta.
E shërbejmë me patate furre me rozmarinë ose me bukë të thekur.
(er.nu/vila24/BalkanWeb)
