NGA ZONJA VJOLLCA
Përbërësit
800 gr – 1 kg patate
1 kokërr qepë
3 thelpinj hudhër
500 gr mish të grirë
3 kokrra domate
3 lgj vaj ulliri
300 gr krem kosi
2 kokrra vezë
Kripë, piper, rigon
Arrë moskat, bar qepe
100 gr djath pice
Pergatitja
Lajmë patatet dhe i vendosim për të zjerë në ujë të bollshëm me kripë vetëm për 20 minuta. Më pas i qërojmë dhe i presim në feta mesatare.
Vendosim tiganin në zjarr me vaj ulliri dhe kaurdisim qepën së bashku me një thelpi hudhër për 3-4 minuta, më pas shtojmë mishin e grirë dhe e kaurdisim atë derisa të thërrmohet, e rregullojmë me kripë, piper dhe një gotë ujë dhe e lemë të zieje derisa uji të shterojë. Ndërkohë domatet i presim në feta rrumbullake duke larguar farat.
Lyejmë tavën me vaj dhe shtrojmë komplet sipërfaqen e tavës me feta patate duke i vendosur ato si tjegulla, i spërkasim me pak kripë dhe piper. Shtrojmë mishin të gatuar me qepën duke e niveluar në të gjithë sipërfaqen e tavës. Shpërndajmë mbi mish fetat e domates, pak kripë, piper, një sasi të vogël djath të bardhë dhe pak rigon. Mbulojmë domatet me fetat e patateve që kanë mbetur. Përziejmë në një tas vezët me kremin e djathit, bar qepe, kripë, piper, arrë moskat, rigon dhe dy thelpinj hudhër të shtypur. I përziejmë mirë dhe e shpërndajmë mbi patate. Në fund e mbulojmë sipërfaqen me djath pice dhe e vendosim tavën në furrë në temperaturën 180 grade Celsius për 30 minuta derisa sipërfaqja e tavës të marrë ngjyrë të artë.
(da.xha/Vila24/BalkanWeb)
