Nga: ZONJA KATERINA
2 kokrra patate
2 speca
2 kunguj
2 patëllxhanë
2 qepë të thata
2 thelpinj hudhër
2 kokrra domate
1 lgj pure domate
1 lk sheqer
1 bustinë koncentrat pule
1 tufë qepë të njoma
2 hudhra të njoma
1 tufë majdanoz
1 tufë koper
4-5 lgj vaj ulliri
Kripë, piper i zi

Fillimisht presim patatet në feta të holla rrumbullake dhe i vendosim në ¼ e tavës. Ndërsa në pjesën tjetër të tavës vendosim perimet e tjera të prera në kubikë mesatare.
Përgatisim më pas fillimisht salcën e kuqe duke kaurdisur me pak vaj ulliri qepët e thata të grira imët së bashku me 2 thelpinj hudhër. Sapo qepa të fillojë të zbutet shtojmë domatet të prera në kubikë të vegjël, shtojmë purenë domates, 1 bustinë koncentrat pule, pak sheqer, kripë dhe piper të zi dhe e lemë salcën të marrë valë.
Në një tigan tjetër me pak vaj ulliri kaurdisim qepët e njoma së bashku me hudhrat e njoma të grira gjithashtu imët. I lemë derisa qepët e njoma të ulin volumin dhe më pas shtojmë majdanoz, koper, kripë dhe piper të zi. Salcën e kuqe të domateve e shtojmë në tavë mbi perimet, ndërsa salcën jeshile me qepët e njoma e vendosim mbi patatet. Shtojmë në fund një gotë ujë të ngrohtë në tavë, e pudrosim sipërfaqen me pak piper të zi dhe e vendosim tavën me perime në furrën e parangrohur në temperaturën 180-200 gradë Celsius për 40 minuta.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb