Partia Demokratike ka ngritur akuza për tenderin me vlerë 15 milionë euro për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, duke kërkuar anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe nisjen e një hetimi nga SPAK.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se dokumentet e bëra publike në media ngrejnë dyshime mbi kompaninë fituese, e cila sipas saj është përfshirë në procese gjyqësore në Spanjë që lidhen me manipulime tenderësh dhe korrupsion në sektorin e avionëve zjarrfikës.
Vangjeli deklaron se këto rrethana bien ndesh me kriteret ligjore të prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe kërkon verifikimin e përgjegjësive.
Deklarata e Zëdhënëses për Antikorrupsionin në PD
Publikimi në media i dokumenteve dhe informacioneve mbi tenderin prej 15 milionë eurosh për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve edhe njëherë tjetër tregon si Qeveria e Edi Ramës administron sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare dhe si menaxhon paratë e shqiptarëve.
Sipas medias Ministria e Mbrojtjes ka shpallur fituese kompaninë Air Tractor Europe S.L., e cila është përfshirë në vendime gjyqësore në Spanjë që lidhen me manipulimin e tenderëve, dhe korrupsionin në sektorin e avionëve të shuarjes së zjarreve.
Vendimet e autoriteteve gjyqësore spanjolle, përveç dëmit korruptiv të paktën 150 milion euro, së bashku me vendimin e gjykatës supreme në Greqi në 2024, pengojnë kompaninë të marrë pjesë në procedura të prokurimit publik në vendet e Bashkimit Europian.
Në fakt edhe legjislacioni shqiptar përmban të njëjtat klauzola penalitetesh:
1. Bazuar në ligjin 36/2020 Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, neni 38/1, AK skualifikon çdo operator kur ka të dhëna se ai është ose ka qenë i dënuar me vendim penal të formës së prerë për një sërë veprash penale përfshirë falsifikim, korrupsion; mashtrim etj.
2. DST në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë , në shtojcën 10, për tu plotësuar nga OE pjesëmarrës dhe për tu dorëzuar pranë AK kërkon që ofetuesi nën përgjegjësinë e tij të plotë të vetëdeklarojë se nuk është dënuar për asnjë nga veprat penale të parashikuara në nenin 38/1 të Ligjit Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë .
Në këto kushte Partia Demokratike kërkon anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe nisjen e hetimeve të thelluara nga SPAK për të penalizuar përgjegjësit.
