Kryeministri Edi Rama ka sulmuar Presidentin Ilir Meta, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Vlorë. Rama e ka cilësuar Metën një shpërdorues të institucionit dhe rolit të Presidencës, në funksion të ndërmarrjes së tij politike.

Sipas kryeministrit, nuk ka pasur Shqipëria më parë një President që të përdorë një rrugë, një projekt, për të përçarë dhe jo për të bashkuar.

“Për fat të keq, Meta nuk është president, është shpërdoruesi në vazhdimësi i institucionit dhe i rolit të presidentit. E shpërdoron atë institucion dhe atë rol në funksion të ndërmarrjes politike, që formalisht e drejton e shoqja. Pra, presidenti, po e quajmë se e ka këtë titull, thotë çfarëdo qoftë që atij i duket se prodhon vota për ndërmarrjen e tij partiake. Ajo që tha Damiani është tipike për të shpjeguar se si Ilir Meta shpërdoron rolin e një institucioni të unitetit kombëtar. President që të përdorë një rrugë, një projekt rruge për të përçarë, jo për të bashkuar, duke keqinformuar, ky vend nuk ka pasur. E kam thënë, Ilir Meta ka arritur të paarritshmen. E ka bërë Bujar Nishanin të duket se Jefferson. Po të nisesh me standardin e Ilir Metës, Nishani duket si Jefferson. Shumë herë më korrekt, më normal Nishani. E vërteta është e thjeshtë, ne kemi marrë përsipër të bëjmë dy gjëra që ju e dini se janë premtuar para 50-60 vjetësh, rruga e lumit të Vlorës dhe rruga për të nxjerrë Kurveleshin nga rrethimi. Rruga e lumit të Vlorës u nda për arsye fondesh në katër lote. Kostoja e atij projekti doli shumë e lartë dhe ndërkohë ne donim që ai të kishte një kosto dhe zgjidhje më të arsyeshme, ndaj vendosëm ta spostojmë fondin në projektin e Radhimës, që është projekti paralel me rrugën.

Në këtë moment, z. president na del përpara dhe na thotë se nuk mund ta bëjmë këtë gjë. Pse s’mund ta bëjmë këtë gjë, sauditët e kanë dhënë fondin për infrastrukturën dhe ne mund ta përdorim si të duam. Ilir e bën tragjikomike, tragjike për institucionin dhe komike për personazhin që shpërdoron atë institucion me prani të tij. Ne ribëmë komplet projektin, e sollëm në një kosto të arsyeshme dhe kemi shpallur garën. Kështu që rruga Peshkëpi-Selenicë do të bëhet. Tani unë kam marrë informacion se Leskoja i famshëm i Vlorës ka filluar të merret me urën. Kjo sepse vazhdojnë mendojnë që ky popull në tërësi ka budallenj. Nuk besoj që të ketë vlonjatë, labë, që të hajë këtë kokërr ulliri nga pjata e leckos që pi raki dhe del e flet përçartë. Me siguri do gjenden ca të tillë, por e sigurt që ne do të bëjmë rrugën. Ne kemi ngrënë turpin e presidentit me bukë. Vlorën nuk e ndalon dot askush, le të bëjnë çfarë të duan. Sa më shumë bëjnë të tilla, aq më shumë do të marrin reston nga zona këtu, sepse kjo zonë ka qenë më e diskriminuara, që nga viti 1991, që kur ra regjimi. Në këtë zonë është bërë volumi më i vogël i investimeve”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb