Partizani ka rigjetur ecurinë dhe rezultatet pozitive në kampionat me të kuqtë që kanë grumbulluar 4 fitore radhazi e duke mbërritur Dinamon në vendin e katërt me 39 pikë. Kjo ecuri pozitive patjetër që lidhet edhe me boshtin që tashmë duket se ka gjetur skuadra dhe trajneri Oltijon Kërnaja, duke kujtuar se në fillimin e sezonit kishte shumë vështirësi për të kristalizuar një 11-tëshe titullare edhe për shkak dëmtimesh.

Por, në ndeshjet e fundit sigurisht me disa lëvizje të vogla detyruar sërish prej ndonjë dëmtimi apo pezullimeve, trajneri Kërnaja ka gjetur boshtin dhe të besuarit e tij. Kështu në 6 ndeshjet e fundit mes kampionatit, por përfshirë edhe 2 sfidat ndaj Elbasanit në Kupë, janë plot 6 futbollistë që nuk kanë lëvizur nga formacioni dhe kanë startuar gjithnjë nga minuta e parë.

Bëhet fjalë për Qirkon, Bytyçin, Sembene, Hjuman, Isgandarli dhe Sidibe, me këtë të fundit që pas ndeshjes së 24 janarit në Shkodër ndaj Vllaznisë, ku u aktivizua nga stoli, në të gjithë sfidat e radhës që pasuan u shndërrua në një titullar fiks.

Ndërkohë, pjesë e këtij boshti janë edhe Kola e Ismaili, por mbrojtësi nuk ishte titullar në ndeshjen ndaj Flamurtarit ndërsa po ashtu Ismaili mungoi ndaj Egnatias për arsye kartonësh ndërsa në ndeshjen e fundit me Elbasanin mungoi për një shqetësim në gju.

Sakaq, titullarët e tjerë dhe shumë të rëndësishëm për Partizanin janë gjithashtu edhe Atanaskoski e Skuka, por mbrojtësi kishte një demtim në janar, që e mbajti larg fushave për disa ditë ndërsa nga ana tjetër, sulmuesi është menaxhuar nga trajneri Kërnaja për të ruajtur gjendjen fizike të lojtarit.

Sakaq, i njëjti arsyetim vlen edhe për të afruarin e merkatos së janarit Qaka, me mesfushorin që konsiderohet titullar, por problemet fizike e kanë bërë pjesë edhe të rotacionit. Kështu, për t’u rikthyer edhe njëherë te boshti i skuadrës, tashmë Partizani e ka një formacion stabël dhe kjo ka ndikuar padyshim te sukseset e fundit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb