Adriatik Lapaj, kryetari i koalicionit “Shqipëria Bëhet-Nisma”, nga Saranda, ka bërë thirrje për një përmbysje të sistemit aktual politik, duke e quajtur 11 majin “ditën e hakmarrjes për drejtësi”.
Në një fjalim të mbajtur përpara mbështetësve, Lapaj u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment kritik dhe kërkoi votën për ndryshim rrënjësor, për një shtet të drejtë, pa korrupsion e të çliruar nga lidhjet me krimin.
Ai siguroi administratën publike se nuk do të preket nëse punon me ndershmëri dhe premtoi rritje të buxhetit për arsimin, shëndetësinë dhe mbështetje për bujqësinë. Lapaj e cilësoi 11 majin si momentin për të shembur “klasën politike të kalbur” dhe për të ndërtuar një Shqipëri europiane.
Adriatik Lapaj: Të çajmë sistemin që ka marrë peng atdheun. Ne jemi këtu për të ndërtuar shtet. Lindshmëria ka rënë në shifra dramatike. Jemi këtu për të kërkuar mbështetjen tuaj. Të shembim këtë klasë politike të kalbur. Më 11 maj votoni kundër atyre që iu bëjnë padrejtësi. 11 maji është dita e hakmarrjes për drejtësi. Këta ua degdisën fëmijët jashtë Shqipërisë. Nuk ka më kohë për të humbur Shqipëria, është ora për të bërë ndryshimin e madh. Edhe ju që punoni në administratë, duhet të votoni për ndryshimin pa frikë. Është koha t’ju çlirojmë edhe ju. Shqipëria europiane është e shqiptarëve të lirë.
Askush në administratë nuk do preket, që nuk bën korrupsion. Lekët e rraqexhinjve do ia kthejmë administratës së ndershme. Do subvencionojmë bujqësinë. Do rrisim buxhetin për arsimin dhe shëndetësinë. PS u detyrua të vijë tek pensioni minimal 200 euro, për shkak të presionit opozitar. Ne do të rrisim pensionet progresivisht. Ne jemi garanci për drejtësinë e re. Na jepni mundësinë të kuptojmë sesa të këqij kanë qenë. Ne do bëjmë qeveri, që nuk e kërcënon administratën dhe pa lidhje me krimin.
(Balkanweb)
