Roma dhe Interi dhuruan një përballje spektakolare në javën e pestë të Serie A, duke u ndarë në një barazim 2-2 në Olimpico.
Roma e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte dhe kaloi në avantazh që në minutën e gjashtë. Dybala krosoi nga e djathta, Molina devijoi me kokë dhe Manu Koné goditi saktë për të mposhtur Martinez dhe për të vendosur rezultatin 1-0.
Interi reagoi dhe iu afrua golit me Bastonin, i cili goditi shtyllën, ndërsa Lautaro shpërdoroi një tjetër mundësi të artë. Roma, megjithatë, vazhdoi të ishte e rrezikshme në kundërsulm.
Në fundin e pjesës së parë, vendasit gjetën edhe golin e dytë. Dybala shërbeu përsëri në zonë, Mancini preku topin dhe Koné e dërgoi atë në rrjetë. Fillimisht goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas kontrollit të VAR-it u akordua dhe Roma shkoi në dhomat e zhveshjes në avantazh të dyfishtë.
Interi hyri në pjesën e dytë me një tjetër ritëm dhe vetëm një minutë pas rifillimit ngushtoi diferencën. Thuram kombinoi me Lautaron dhe argjentinasi me një goditje të saktë shënoi për 2-1.
Zikaltërit morën kontrollin e lojës dhe vazhduan presionin në kërkim të barazimit. Goli erdhi pas një goditjeje nga këndi, ku Bisseck devijoi topin dhe Lautaro u tregua përsëri i saktë, duke vendosur rezultatin përfundimtar në 2-2.
Trajneri i Romës, Gian Piero Gasperini, vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij dhe theksoi se të dyja ekipet patën mundësi për të fituar.
“Doli një ndeshje ku të dyja skuadrat mund të fitonin. Goli në fillim të pjesës së dytë i dha energji Interit, por ne nuk hoqëm dorë. Kjo ndeshje duhet të na japë kënaqësi dhe besim për gjendjen dhe cilësinë që po tregojmë. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”, tha Gasperini.
Nga ana tjetër, trajneri i Interit pranoi se skuadra nuk pati paraqitjen e duhur në pjesën e parë, por vlerësoi reagimin pas pushimit.
“Problemi i pësimit të golave në pjesën e parë? Ajo që u thashë lojtarëve në pushim mbetet mes nesh. Jam i bindur se edhe ata e dinë çfarë duhet të përmirësojmë”, u shpreh ai.
Për pjesën e dytë, tekniku zikaltër ishte më i kënaqur: “Për sa i përket grintës, cilësisë dhe personalitetit, bëmë një ndeshje të madhe. Përballuam një skuadër të fortë dhe ishte një ndeshje e bukur. Duhet të nisemi nga ky reagim dhe të punojmë për të përmirësuar disa aspekte.”, përfundoi tekniku rumun.
