Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku përmes një reagimi në rrjetet sociale është shprehur se do të votojë kundër draftit të PS për Reformën Territoriale në seancën e të enjtes në Kuvend.
Ajo theksoi se është e sigurt se edhe deputetë të tjerë të PS do të kundërshtojnë me votë këtë projektligj, pavarësisht pasojave politike.
“Të enjten në seancë plenare do votohet drafti i PS-së për reformën territoriale. Sigurisht që unë do votoj kundër. Jam e sigurt që edhe në radhët e grupit të PS-së do ketë deputetë që do e kundërshtojnë me votë të përgjegjshme këtë projektligj, pavarësisht pasojave politike të mosbindjes ndaj urdhnit të partisë”, u shpreh ajo.
Deri më tani është mësuar se në mbledhjen e sotme të PS, deputetët Erjon Braçe dhe Vullnet Sinaj janë shprehur kundër, duke ulur kështu votat e mundshme të mazhorancës për të enjten.
Ligji ëkërkon një shumicë të cilësuar, pra 84 deputetë. Me largimin e Koçekut dhe votat kundër të Sinajt dhe Braçes, si edhe mungesën e Belinda Ballukut, votat e socialistëve bien në 80.
Me këtë përllogaritje nuk do të mjaftonte as një bashkim i votave me PSD-në, i cili do ta çonte totalin në vetëm 83 vota.
