Shqipëria mat forcat me Poloninë në gjysmëfinale të Play Off të Botërorit, sfidë me një takim, që do të luhet të enjten në Varshavë.
Nëse kuqezinjtë kalojnë me sukses pengesën e Polonisë, do të luajnë në finalen që të çon në Botëror, me fituesin e sfidës Ukrainë-Suedi.
Ish-futbollisti i Kombëtares, Redi Jupi i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24 tha se Polonia është më lart, por dhe ne kemi mundësitë tona. Jupi thekson se fokusi duhet të jetë te gjysmëfinalja e nesërme dhe jo te finalja e mundshme.
“Kjo është hera e parë që jemi në një fazë Play Off për Botërorin. Do doja të fitonim patjetër me Poloninë. Nuk mendoj fare për finale, duhet të kalojmë pengesën e nesërme.
Ndaj Polonisë kemi një histori të tillë; Ne kemi patur një barazim atje para 40 vjetësh, kemi patur këtu një fitore të rëndësishme para arritjes në Europian. Kur erdhi Sylvinho, na mundën 1-0. Ndeshjet e tjera kanë qënë humbje. Kur flasim për nivele, ata janë më lart. Janë kualifikuar rregullisht në kompeticione. Ne kemi dy Europiane.
Sa i takon lojtarëve, kanë në gjirin e tyre lojtarë më të mirë, të mësuar me presion dhe me ndeshje të mëdha” – tha ai.
