Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, thotë se është ulur qëllimisht i vetëm në një qosh, gjatë një diskutimi në Davos të Zvicrës.

Nga Davosi, ku u mbajt Forumi Ekonomik Botëror, doli një fotografi ku Vuçiç shihej i vetmuar në rreshtin e dytë, derisa liderët e tjerë kishin formuar një rreth dhe po diskutonin.

Presidenti serb është pyetur për këtë “pozicionim” të tij dhe nëse i ka rënë të flasë me Kryeministrin Albin Kurti.

Vuçiç ka thënë se nuk ka folur me Kurtin dhe se kur i kanë kërkuar që të ulej pranë tij, në rreshtin e parë, ai “qëllimisht është ulur në rreshtin e dytë”, siç thotë, “në një qoshe”.

“E lashë të fliste dhe më pas kur fola unë “ata u detyruan të kthehen nga unë”. Nuk pata rastin të flisja me të. Ne flasim në Bruksel. Dhe as nuk e di se për çfarë do të kisha folur me të”, ka thënë Vuçiç.

“Përjashtimi” i Vuçiçit nga rrethi i liderëve është parë si një lloj ndëshkimi i ndërkombëtarëve ndaj tij, që edhe më tej nuk ka pranuar kërkesat e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i vënë sanksione Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: