Pakënaqësitë brenda Partisë Socialiste lidhur me projektin e ri të ndarjes territoriale kanë nisur të shfaqen hapur në terren. Kryetari socialist i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, ka dalë haptazi kundër draftit që parashikon shkrirjen e 15 bashkive në vend, mes të cilave edhe atë që ai drejton, duke u bashkuar me valën e protestave qytetare.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në shesh, Gorrea zbuloi se një pjesë e madhe e punonjësve të administratës bashkiake janë bërë pjesë e tubimeve, pasi ndihen të rrezikuar për vendet e tyre të punës nga ky riorganizim i paralajmëruar.
“Të gjithë punonjësit e bashkisë janë me ju, janë me ne, janë edhe këtu. Në të katër ditët prania jonë ka qenë e konsiderueshme, protesta është e bukur. Por ne nuk do t’i lëmë shërbimet. Patjetër që shumë nga ata i keni këtu… Çdo punonjës i bashkisë personalisht ndihet i kërcënuar, sepse në fund do humbasë punën. Ata janë bashkë me ne, ishin që ditën e parë,” u shpreh kryebashkiaku.
Duke u kërkuar qytetarëve që të mos i sulmojnë punonjësit e administratës, ai theksoi se fokusi i vetëm i kësaj lëvizjeje duhet të jetë mbrojtja e statusit të qytetit:
“Veprimet dhe kërkesat tuaja politike drejtojini në vend tjetër. Këtu kemi një qëllim: Divjaka bashki. Të gjitha keqkuptimet, të gjitha dëshirat e tjera që keni, gjeni një vend tjetër. Këtu t’ia lëmë këtë shesh bashkisë Divjakë. Mos më akuzoni asnjë punonjës të bashkisë, se të gjithë janë me ju dhe këtu do jemi derisa të ruajmë këtë bashki.”
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, nga sheshi qytetarët janë dëgjuar të thërrasin në kor: “Ta bëjmë si Poliçani!”.
Kujtojmë se pak ditë më parë në Poliçan, në formë proteste ekstreme kundër ndarjes së re territoriale, strukturat dhe qytetarët socialistë dogjën teserat e partisë, ndërsa kreu i PS-së në atë qytet dha dorëheqjen, duke sinjalizuar një fërkim të fortë të bazës socialiste me linjën e qeverisë.
