Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili deklaroi sot nga Kryesia e Kuvendit se të gjithë të përndjekurit politikë duhet ta dinë të vërtetën, se dosjet nuk hapen fare. Vasili tha se Autoriteti i Dosjeve qelbet erë më shumë se Sigurimi i Shtetit dhe se Rilindja kërkon ta përdorë si instrument për të vrarë pluralizmin.

Sipas tij, kuvendi ka bllokuar në mënyrë të turpshme projektligje tepër të rëndësishme të propozuara nga Partia e Lirisë.

“Ndërkohë që dyshja Rama-Basha të interesuar për të shpikur zhurmues për korrupsionin me miliarda euro të qeverisë bëjnë sikur shpikin nisma të vdekura propagandistike siç ishin nismat për ligjin e dosjeve dhe gjoja hapjen e tyre. Nismë që u prodhua në vapën e korrikut dhe u votua me urgjencë histerike në Kuvend.
Rilindasit në pushtet e opozitë të dyshes Rama-Basha nuk votuan fare hapjen e dosjeve, por ngjalljen e Autoritetit të vetëvrarë të Manipulimit të Dosjeve!”, tha Vasili.

Ai theksoi se rilindja dhe “rilindasit” me mëditje në opozitë votuan të enjten në mesnatë, me urdhër të një email-i anonim të Sigurimit, disa ndryshime jo e jo për hapjen e dosjeve, por për të ringjallur Autoritetin e vdekur të Manipulimit të Dosjeve, që u vetëvra më 26 korrik të këtij viti, pasi dështoi në mënyrën më të turpshme në manipulimin mafioz kundër Ilir Metës.

“E para, për t’i dhënë fund talljes dhe mashtrimit me të përndjekurit politikë. Të gjithë të përndjekurit politikë duhet ta dinë të vërtetën, pra që dosjet nuk hapen fare. Ata duhet ta dinë se “paçavurja” që votuan rilindësit në pushtet dhe opozitë, e thotë e zeza mbi të bardhë, është vetëm Autoriteti i Manipulimit të Dosjeve, i cili do të vendosë për secilin nëse hapet dosja dhe nëse i jepet apo jo informacioni i kërkuar.
E dyta: Dhimbja e thellë e të përndjekurve politikë u përdor thjesht si plaçkë tregu për pazarin e qelbur mes rilindasve në pushtet dhe rilindasve në opozitë, që u vunë në lëvizje në një ditë vape të korrikut dhe për turp e faqe të zezë me urdhrin e email-it të Sigurimit të Shtetit, të atij Sigurimi që edhe sot kontrollon fatet e atyre, që i vrau, i persekutoi dhe i internoi dhe e gjitha kjo tollovi vape behari vetëm për shkak se Edi Ramës i hyri lepuri në bark se Ilir Meta krijoi dhe drejton Partinë e Lirisë.
E treta: Rilindasit në pushtet dhe rilindasit me mëditje në opozitë votuan vetëm pro Autoritetit të vdekur të Dosjeve, që më 26 korrik tregoi fytyrën si zorrë qorre e qeverisë kur manipuloi e shkeli çdo ligj, që konsumoi vepra penale pa fund, që prodhoi 7 vendime mafioze të manipuluara në një ditë, kur prodhoi deri edhe gjeneralitete false, kur manipuloi të vërtetat që nuk i luan as topi dhe që ulërijnë me dokumente shkresore të shkruara me shkrim dore.
Autoriteti që nuk i jep as informacionin e detyruar avokatit Gjokutaj ashtu si edhe Kuvendi i Shqipërisë që nuk i jep gjithashtu informacionin avokatit.
E katërta: Autoriteti i Manipulimit të Dosjeve është sot nën akuzë me fakte, prova e dokumente dhe asnjë alibi politike apo juridike e dëshpëruar nuk e shpëton dot nga dënimi.
E pesta: Sot e kësaj dite ky Autoritet i Manipulimit të Dosjeve nuk iu jep për muaj e vite as përgjigje për informacionin e kërkuar as të përndjekurve politikë. Rasti i znj.Vera Bekteshi, e përndjekur politike, intelektuale dhe shkrimtare e njohur, nuk ka nevojë për koment. Çfarë talljeje! E pra, ky Autoritet i degraduar i Manipulimit të Dosjeve do të vendosë për hapjen e dosjes së çdo të përndjekuri politik.
E gjashta: Autoriteti i Manipulimit të Dosjeve sot qelbet erë në mënyrë më të neveritshme se Sigurimi Shtetit dje dhe kërkohet të përdoret nga “Rilindja” si instrument për të vrarë pluralizmin, për të shantazhuar çdo kundërshtar që tregon vjedhjet dhe grabitjet e miliarda eurove nga pushteti. Ky është një objektiv i vdekur për Rilindjen ashtu si vetë Autoriteti i vetëvrarë i Manipulimit të Dosjeve”, deklaroi Vasili.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb