Deputetja dhe anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një fjalim të mbajtur në Kongresin e Partive Popullore Evropiane (PPE), ka ngritur shqetësime serioze për situatën politike në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një emergjencë demokratike.

Në fjalën e mbajtur në kongresin e PPE, Vokshi tha se “autokracia po rishfaqet sërish si kërcënim ndaj lirisë dhe demokracisë” dhe se Shqipëria ndodhet përballë një përpjekjeje sistematike për të shtypur opozitën dhe kontrolluar zgjedhjet.

“333 ditë arrest shtëpie politik sakrifikoi nga liria e tij Sali Berisha  për të mbrojtur opozitën dhe pluralizmin në Shqipëri. 1 vit burg po vuan deputeti Ervin Salianji për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe të drejtat themelore,” u shpreh Vokshi.

Ajo theksoi se i gjithë lidershipi opozitar po përballet me një valë ndjekjesh penale dhe kërcënimesh, të cilat, sipas saj, synojnë të paralizojnë alternativën politike dhe të kontrollojnë tërësisht jetën publike.

Gjatë fjalës së saj, Vokshi iu referua të dhënave dhe raporteve ndërkombëtare, duke përmendur se ka me qindra raste të dokumentuara të shkeljeve të ligjit nga Partia Socialiste në muajt e fundit:

“Ka shpërdorim të burimeve publike, lidhje të eksponentëve të mazhorancës me krimin e organizuar, blerje votash, kërcënime dhe intimidim të zgjedhësve, të gjitha të pasqyruara në raportet më të fundit të OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Evropës.”

Sipas saj, “socialistët vazhdojnë me arrogancë të shkelin ligjin çdo ditë”, duke vepruar në bindjen se kontrollojnë çdo hallkë të pushtetit dhe institucioneve.

Vokshi ngriti shqetësimin se qytetarëve shqiptarë u është mohuar sistematikisht në dekadën e fundit e drejta për të votuar lirshëm dhe pa frikë.

“Nëse nuk ke të drejtën për të votuar lirshëm, çdo e drejtë tjetër është një iluzion,” deklaroi ajo.

Në përfundim, Vokshi e konsideroi betejën për zgjedhje të lira dhe demokraci si një kauzë më të gjerë se ajo partiake:

“Unë ngre zërin jo vetëm për partinë time apo për opozitën, por për çdo qytetar shqiptar që ende beson në demokraci. Kjo është një emergjencë për demokraci.”

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb