Një studim i publikuar në “Journal of the American Heart Association” ka treguar se avokadoja është ushqimi me yndyrna të mira që ul më shumë nivelin e kolesterolit te njerëzit mbipeshë. Kërkuesit shkencorë amerikanë vunë 45 të rritur mbipeshë në një dietë me pak yndyrna. Njëri grup nuk kishte avokado në dietën e tij, ndërsa tjetri po.

Në fund të studimit u pa se kolesteroli i keq në grupin që konsumoi avokado për 5 javë u ul me 13 pikë, në krahasim me 8 pikë që u ul te grupi me dietë me pak yndyrna, por pa avokado. Kjo ndodhi sepse yndyrnat e mira përmbajnë acide që ulin kolesterolin, por avokadoja përmban më shumë, plus që është i pasur me fibra dhe një lloj sheqeri që të bën të ndihesh i ngopur.

Një avokado përmban 320 kalori dhe 30 gramë yndyrna. Pra, duket paksa shumë, por nuk janë shumë nëse zëvendësoni me avokado ushqimet e pashëndetshme që hani. Mos e lyeni bukën me majonezë, por me avokado të shtypur. Nëse do të bëni këtë, do të ulni kolesterolin e keq dhe do të përmirësoni shëndetin e zemrës.

Dihet që avokado ka shumë vlera. Mbron zemrën, ndihmon shikimin dhe parandalon disa lloje të kancerit. Por, pasi e presin një avokado, shumica e njerëzve hedhin bërthamën në mbeturina, duke menduar se nuk i duhet. Por, duket se pikërisht bërthama është pjesa më e ushqyeshme e avokados.

Një eksperte amerikane e ushqimit, Amy Shapiro, ka thënë për “Daily Mail” se bërthama e avokados është e pasur me antioksidantë dhe fibra. Ajo shpjegon se bërthamat mund të kthehen në pluhur me anë të një “blender”-i dhe t’i shtohen “smoothie”-t ose kosit me fruta për më shumë vlera ushqimore.

Shapiro thotë: “Bërthama që hedhim ka shumë vlera. Mjafton ta marrim atë, ta thajmë në furrë, ta presim në copa të vogla dhe ta fusim në “blender” për ta kthyer në pluhur. Rreth 70% e antioksidantëve të avokados janë te bërthama. Antioksidantët luftojnë radikalet e lira, që do të thotë se mund të ndihmojnë sistemin imunitar për të parandaluar sëmundje të ndryshme. Gjithashtu, antioksidantët parandalojnë krijimin e rrudhave në fytyrë. Pa harruar se bërthama e avokados është plot fibra, të cilat krijojnë një ambient të shëndetshëm për bakteret e mira të zorrës”.(shije)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: