Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj nga Komisioni për Çështjet Ligjore, foli për projektligjin kundër kompanive offshore.

Shehaj tha se qëllimi i projektligjit është që shteti të ndalojë së bëri kontrata me kompani offshore, pasi pas tyre fshihen ministrat dhe kryeministri.

Shehaj pati një debat me deputeten e PS, Klotilda Bushka, e cila i’u drejtua duke i thënë ‘nuk keni pse bëni fushatë politike, mund ta bëni në seancën parlamentare’.

Pjesë nga debati:

Shehaj: Ky projektligj vjen si një nevojë imediate për të adresuar një çështje madhore, transparencën e përdorimit të fondeve publike dhe luftën kundër korrupsionit. Sic jeni në dijeni, një pjesë e madhe e kontratave publike, veçanërisht atyre koncesionare, por jo vetëm, janë fituar nga kompani offshore me pronarë të panjohur.

Mund të përmenden këtu koncesioni i inceneratorëve, ai i laboratorëve në spitalet publike, Porti I Durrësit dhe sa e sa kontrata të tjera. Pra, qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë që shkojnë në llogari të panjohura offshore, pas të cilave mund të jetë kushdo. Mund të jenë zyrtarë të lartë, ministra të qeverisë dhe potencialisht edhe vetë kryeministri. Ashtu sikurse ekziston rreziku, që pas këtyre kompanive mund të qëndrojnë njerëz të botës së krimit, persona të cilët ndodhen nën sanksione ndërkombëtare apo në listën e terrorizmit.
Sikurse jeni në dijeni, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenet 70 dhe 71 të saj parashikon që deputët dhe zyrtarët e lartë të shtetit nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari publike fitimprurëse. Po kështu kuadri ligjor në fuqi dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria i ndalon personat e dënuar me vendim të formës së prerë apo njerëzit e sanksionuar ndërkombëtarisht që të përfitojnë kontrata publike.
Pra ne kemi një kuadër ligjor në fuqi, por nuk e zbatojmë dot për sa kohë lejojmë kompani me pronarë të fshehtë që të marrin kontrata publike nga qeveria shqiptare. Edhe pse Shqipëria ka një ligj në fuqi për regjistrimin e pronarëve fundorë përfitues, ky ligj nuk ka arritur të ndalojë kompanitë me pronarë të fshehtë që të marrin kontrata publike nga qeveria shqiptare siç jemi të gjithë dëshmitarë. Kjo është arsyeja, që bashkë me një grup kolegësh kemi propozuar këtë nismë ligjor mjaft të domosdoshme.    Skandalet korruptive të  njëpasnjëshme ku përfshihen ministra, deputetë, kryetarë bashkish  dhe vijimi i të njëjtave praktika kanë thelluar mosbesimin qytetarëve tek klasa politike në përgjithësi. Parlamenti i Sllovenisë vendosi ndalimin e kompanive offshore në tenderët publikë pas një skandali për blerjen e një pajisje mjekësore prej 1.6 milionë eurosh nga një kompani offshore.
Në Shqipëri, aktualisht janë mbi 1 miliardë euro nga paratë dhe pronat publike që sot shkojnë për kompani offshore, për të cilat mbahet i fshehur përfituesi fundorë.
Kjo është arsyeja pse Sllovalia është sot ne vendin e 56 ndërsa Shqipëria ne vendin e 110 ne renditje e Transparence International.
Qëllimi i këtij projektligji është: Të ndalojë shtetin shqiptar të bëjë kontrata me kompani offshore, sepse nuk ka dyshim se sot, pas çdo kontrate offshore fshihet një politikan.
Ky projektligj ndalon rrjedhjen e parave publike drejt politikanëve përmes kompanive guaskë.

Bushka: Do ta diskutojmë nismën tuaj. Nuk keni pse bëni fushatë politike këtu. Ne ndjekim rregulloren. Do ketë një diskutim. Kemi seance plenare për debat politik. Do ta diskutojmë dhe nismë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb