Të paktën 47 anëtarë të Forcave të Armatosura Kombëtare Bolivariane të Venezuelës u vranë më 3 janar gjatë një operacioni ushtarak amerikan që çoi në kapjen e Presidentit Nicolás Maduro dhe gruas së tij, njoftoi të premten Ministri i Mbrojtjes së Venezuelës, Vladimir Padrino López.

Në deklaratën e tij të transmetuar nga televizioni shtetëror, Padrino tha se në mesin e 47 të vrarëve ishin edhe nëntë gra, duke përshkruar sulmin si një akt agresioni ndaj forcave venezueliane, të cilat u përballën me “teknologji dhe burime të jashtëzakonshme”.

Qeveria më herët kishte njoftuar një shifër më të lartë të viktimave – rreth 83 të vdekur, duke përfshirë edhe 32 ushtarë kubanë që shërbenin si pjesë e njësive të sigurisë të Presidentit Maduro, sipas ministrit të mbrojtjes.

Autoritetet cubane njoftuan gjithashtu se trupat e 32 ushtarëve të tyre u kthyen në Kubë, ku u nderuan në ceremoni kombëtare, ndërsa Qeveria Venezueliane ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare për viktimat.

Operacioni, që rrëmbeu Maduro dhe e çoi atë së bashku me gruan e tij në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza federale, ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare, përfshirë protesta dhe tensione diplomatike me aleatët e Venezuelës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb