Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të presë Presidentin rus, Vladimir Putin, në avionin e tij personal përpara se të nisen drejt një baze ushtarake në Alaskë, ku do të zhvillohet pjesa zyrtare e takimit.

Ky do të jetë takimi i parë mes Trump dhe Putin gjatë mandatit të dytë të Trumpit si president.

Herën e fundit ata u takuan në vitin 2021.

Kjo takim është thirrur me iniciativën e Rusisë dhe ka në qendër situatën në Ukrainë, konkretisht agresionin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022, i cili vazhdon ende.

Bisedimet mes dy liderëve do të nisin në orën 21:00 dhe do të mbahen në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson, e cila është më e madhja në Alaska.

Përveç çështjes së Ukrainës, në diskutim janë edhe tema të tjera të rëndësishme për të dy presidentët, me vëmendjen kryesore të përqendruar në përmirësimin e marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit.

Nga ana ruse, synimi është të shmangen sanksione të reja, të cilat janë paralajmëruar nga Trump, si dhe të sigurohet njohja e kontrollit mbi disa territore të pushtuara në Ukrainë, duke shpresuar edhe në hapjen e tregut amerikan dhe më tej atij global.

Ndërkohë, Trump kërkon të arrijë një marrëveshje për armëpushim në Ukrainë, një premtim ky që e bëri gjatë fushatës zgjedhore kur deklaroi se do ta ndalte luftën “brenda 24 orëve”, por që nuk ka mundur ta realizojë deri më tani.

Ky takim përfaqëson përpjekjen më të rëndësishme të tij për t’i dhënë fund luftës që nisi me invadimin rus të Ukrainës.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb