NGA REZARTA DELISULA*

Teuta Hoxha, nusja e djalit të madh të Enverit, Ilir Hoxhës, hap dyert e shtëpisë më të njohur në Shqipëri, përmes librit që do të jetë pas pak ditësh nëpër librari, “Enveri në kujtimet e mia”. Nga njohja me Ilirin, takimi i parë me Enver Hoxhën, shëtitjet, bisedat intime, marrëdhënia me pjesëtarët e tjerë të familjes, fejesa e djalit të Mehmet Shehut, vitet e post ’90-ës dhe letra e panjohur e Nexhmije Hoxhës janë disa nga pjesët e këtij libri me kujtime, që veç tyre bazohet dhe në ditarët personalë të Enverit dhe Nexhmijes. Në intervistën për “Gazeta Shqiptare”, Teuta Hoxha shprehet se ky libër mund të jetë nesër i vlefshëm edhe për ata që do të shkruajnë mbi figurën e Enverit.
Ju keni më shumë se gjysmën e jetës, nuse në shtëpinë e Enver Hoxhës, pse pas kaq shumë vitesh vini me një libër kujtimesh?
Mbas ndryshimeve politike që ndodhën në Shqipëri, në vitet ’90, për Enver Hoxhën dhe familjen e tij, u trilluan e u fantazuan gjëra nga më të paqenat. Si pjesëtare e kësaj familjeje, e ndjeva për detyrë qytetare, por edhe shpirtërore, që përmes kujtimeve të sjell të vërtetat e asaj periudhe, që unë e kam jetuar vetë, ndaj dhe iu futa shkrimit të kujtimeve të jetës sime, që nga fëmijëria, gjithmonë lidhur me kujtimet që kam me Enver Hoxhën, dhe më pas, kur u bëra pjesë e familjes së Tij, me dëshirën dhe synimin që përmes tyre të ndihmoj sadopak për të hedhur dritë në jetën e vërtetë të familjes sonë dhe për të dhënë disa momente nga jeta private e Enver Hoxhës, e cila është më pak e njohur për publikun. Jam nga të paktët njerëz që di disa gjëra, që kam pasur fatin t’i shoh e t’i përjetoj personalisht në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe shumë pranë tij. E gjitha kjo punë, për të cilën unë ndjeja përgjegjësi të madhe, kërkonte kohë që të finalizohej.
Sa do të shërbejnë kujtimet tuaja?
Mendoj se për të kuptuar jetën, karakterin, veprimtarinë e gjithanshme të Enver Hoxhës si udhëheqës shteti, në radhë të parë duhet të flasësh për atë si njeri. Jo më kot biografët, që kanë shkruar mbi jetën e personaliteteve të ndryshme, u janë drejtuar shpesh jetës së tyre familjare dhe marrëdhënieve të tyre me familjen, me të afërmit, me miqtë. Edhe në rastin e Enver Hoxhës, për të plotësuar jetëshkrimin e tij në mënyrë objektive, pa shtrembërime dhe trillime, kërkohet qëmtimi dhe grumbullimi i atij mozaiku të pafund të dhënash, që kanë të bëjnë me tërë figurën e tij, me jetën dhe veprimtarinë e tij, në planin njerëzor, psikologjik, shoqëror e politik, pasi ai ka qenë dhe mbetet një burrë shteti, që drejtoi vendin për gati gjysmë shekulli.
Nga kush mendoni se do të shkruhet biografia e Enver Hoxhës?
Gjykoj se ajo do të jetë punë e historianëve dhe e studiuesve objektivë, që mbështeten vetëm në të vërtetën e dokumentuar dhe shkruajnë pa paragjykime dhe fantazira. Nuk është një punë e lehtë, as punë gazetarësh, që, për interesat e tyre të ditës, botojnë paçavure, që vetëm ‘biografi’ nuk mund të quhen. Në ndihmë të historianëve dhe studiuesve vjen edhe kontributi i të gjithë atyre që kanë jetuar dhe punuar me Enver Hoxhën, i atyre që e kanë njohur nga afër dhe që kanë treguar me gojë ose me shkrim ato copëza dhe fakte nga jeta e udhëheqësit, që shërbejnë për të njohur, për të kuptuar dhe për të vizatuar më mirë dhe më saktë profilin e gjithanshëm të tij. Te këta të fundit bëj pjesë edhe unë, që për afro një dekadë e gjysmë kam jetuar pranë Enver Hoxhës dhe e kam njohur në familje, duke ruajtur mjaft kujtime të bukura për të, për jetën, karakterin, sjelljen dhe psikologjinë e tij, si dhe marrëdhëniet me pjesëtarët e familjes.
Librin e filloni me njohjen tuaj me Ilirin, pse?
Rrëfimin në këtë libër e filloj me njohjen time me djalin e Enver Hoxhës, Ilirin, për shkak se edhe lidhur me këtë fakt të jetës sime janë thënë shumë të pavërteta, duke e përfolur si një lidhje të stisur për përfitime politike. Këto fjalë të hedhura me ligësi dhe pa asnjë bazë, shfrytëzohen nga ata që kanë për qëllim të shtrembërojnë çdo gjë që ka lidhje me Enver Hoxhën dhe me familjen e tij. Duke hedhur poshtë me neveri këto shpifje e trillime, po sjell të vërtetën time rreth asaj, për të cilën unë as fëmijëve të mi nuk u kisha folur dhe jo më të mendoja ta bëja publike.
Titulli i librit është “Enveri në kujtimet e mia”. Duket si një gjë shumë personale; në fakt, këto janë thjesht kujtime apo janë bazuar edhe në dokumente tip ditarësh në këtë rast?
Dihet që kujtimet kanë edhe subjektivizmin e tyre. Kjo për faktin se kushdo mund të shkruajë ashtu siç i vjen për mbarë, edhe duke i shtrembëruar të vërtetat, për t’ia rritur artificialisht vlerën vetes në sytë e lexuesit. Duke mos e mohuar karakterin subjektiv të kujtimeve, unë i kam shkruar ato duke u përpjekur që të mos ia besoj ato vetëm kujtesës sime, por t’i mbështes edhe me ato që kanë thënë aty për aty, kur janë zhvilluar ngjarjet, Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha në ditarët e tyre, të publikuara ose jo, për të vërtetuar se rrëfimet e mia nuk po i sajoj tani, por janë pasqyrim me vërtetësi i atyre që kam përjetuar vetë. Edhe fotografitë që janë botuar në libër, janë zgjedhur me pikësynimin që të ilustrojnë me anë të imazhit për çka është thënë në këtë libër.
Si ishte jeta në Bllok?
Kujtimet e mia përqendrohen, përgjithësisht, brenda familjes së Enver Hoxhës, e cila, siç dihet, jetonte në atë pjesë të Tiranës që quhej “Bllok”, një emërtim ky, aq shumë i përmendur dhe i keqpërdorur pas përmbysjes së sistemit në Shqipëri. Në fakt, Blloku ka hyrë në jetën shqiptare mbi pesëdhjetë vjet më parë. Ai qe krijuar në rrugë krejtësisht legale, diktuar nga kushtet dhe nevojat e kohës. Dihet që zonë të tillë qeveritare nuk kishte vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet socialiste të Lindjes, madje, edhe në shtete të njohura perëndimore. Çdo shtet kujdeset dhe merr masa sigurimi për një jetë normale të elitës së vet politike, për ruajtjen dhe trajtimin e saj. Këtu nuk bënte përjashtim as shteti ynë. Në libër përshkruhet se si ka qenë jeta në Bllok.
Teksa shohim përmbledhjen, shohim disa faza interesante aq sa gati naive të marrëdhënies tënde me familjen e Enverit, duke nisur qysh nga miqësia e deri më pas te dashuria e nisur herët mes jush…
Siç thashë më lart, pas ndryshimeve politike që ndodhën në vitet ’90, për familjen e Enver Hoxhës çfarë nuk u tha dhe u trillua, gjer në monstruozitete, dhe kur lexon se si paska qenë realisht jeta e këtyre njerëzve, kupton që gjithçka paska funksionuar brenda një normaliteti gati “naiv”, siç e quani ju.
Ju tregonte Iliri mbi marrëdhëniet e tij me të atin e të ëmën?
Bisedat tona, siç bëjnë gjithë të rinjtë, ishin larg familjeve tona. Për më shumë, Iliri me modestinë e tij, nuk fliste për prindërit dhe familjen e tij. Por kuptohet, kjo gjë nuk mund të shmangej plotësisht, ndaj kalimthi unë mësoja ndonjë gjë lidhur me marrëdhëniet e tij me prindërit.
Enveri ka qenë komod në marrëdhënie, dhe a mund të zbuloni ndonjë detaj të asaj që në përmbajtjen e librit e keni quajtur takim i rastësishëm?
Ishte koha kur ne të dy akoma nuk i kishim vënë në dijeni prindërit tanë për lidhjen tonë. Iliri, që kishte një marrëdhënie shumë të afërt me Nexhmijen, ia kishte rrëfyer, por me kushtin që të mos i tregonte babait. Nexhmija, duke ditur që Enveri do të gëzohej shumë, e ‘shkeli’ fjalën dhe ia tregoi të shoqit. Atëherë Enveri ‘kurdisi’ takimin, që të njihte shoqen e zgjedhur të Ilirit.
Ka në librin tuaj detaje të marrëdhënies së Enverit me Nexhmijen përshkruar me po aq sinqeritet sa marrëdhënia me ju?
Duke përshkruar jetën e tyre, pa dyshim që del dhe ajo marrëdhënie e bukur që ata kishin me njëri-tjetrin. Për interes të lexuesit tuaj, unë po jap një moment të përshkruar në libër, pikërisht ditën e parë të prezantimit tim në familjen e Ilirit.
Një nga ngjarjet në libër është dhe ftesa për fejesën e djalit të Mehmet Shehut, pjesë kjo shumë nevralgjike; mund të na thoni ndonjë koment dhe pse duhet lexuar?
Siç e kam thënë në libër, unë nuk flas për aspektin politik të kësaj ngjarjeje, që bëri bujë të madhe për kohën, por sjell disa konstatime të miat, pasi jo vetëm i kam përjetuar nga afër, por edhe kam qenë vetë pjesë në një episod të saj.
Post ’90-ta, vite vuajtjeje e denigrimi; si i përjetuat?
Në pjesën e dytë të librit, që u përket viteve të ndryshimeve politike që ndodhën në vend në fillim të viteve ’90, duke treguar se çfarë ngjau me familjen e Enver Hoxhës, unë ndalem kryesisht se çfarë ndodhi me mua dhe bashkëshortin tim, Ilirin, pasi dhe valën më të madhe të goditjes e pësuam ne të dy. Kjo ndodhi për shkak të qëndrimit tonë të palëkundur në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës, për aq sa na përkiste të bënim, dhe ngaqë ne i qëndruam pranë Nexhmije Hoxhës në ditët më të vështira të persekutimit që i bëri kësaj figure të rezistencës antifashiste shqiptare pushteti “demokratikes” i Sali Berishës.
Po ashtu, në këtë libër rrëfej se si pushteti i instaluar grabiti edhe lirinë e pjesëtarëve të saj, duke arrestuar dhe futur në burg Nexhmije Hoxhën dhe Ilir Hoxhën, me akuza të trilluara vetëm pse ishin gruaja dhe djali i Enver Hoxhës. Pushteti i asaj kohe, me një hakmarrje të egër kanunore, e futi tërë familjen e tij, deri edhe fëmijët e vegjël, në darën e një persekutimi të egër politik dhe ekonomik. Edhe lidhur me këto, rrëfimi im mbështetet në deklarata dhe dokumente të organizmave ndërkombëtarë si “Amnisty Internacional” dhe Federata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Letra e papublikuar e Nexhmijes në vitin 2008; si e përjetuat në ato momente, si i përktheni emocionet e vjehrrës suaj?
Ajo është një letër që Nexhmije Hoxha na ka dërguar Ilirit dhe mua, me rastin e vitit të “100-vjetorit” të lindjes së Enver Hoxhës. Janë fjalë, jo vetëm që i dalin nga zemra, por, njëkohësisht, tregojnë kulturën e saj të gjerë, respektin dhe virtytin e spikatur të mirënjohjes që ajo ka për të tjerët. Letrën ajo e fillon me fjalët: “Të dashurit bijtë e mi, Ilir e Teuta”.
Letrën e vazhdon duke folur dhe për pjesëtarët e tjerë të familjes.
Sot, si është situata me familjen e Enver Hoxhës?
Edhe sot familja e Enver Hoxhës ndodhet nën presionin e politikës. Megjithëse në pushtet kanë ardhur forca të ashtuquajtura të majta, figura e Enver Hoxhës akoma anatemohet. Le të kujtojmë “70-vjetorin” e Çlirimit, që as e përmendën kurrkund si udhëheqësin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Mendon se ky libër mund të krijojë besueshmëri duke qenë pikë referimi të nesërmen?
Gjithë rrëfimi im është tepër i sinqertë dhe i vërtetë. Besoj se edhe lexuesi do ta ndjejë dhe kuptojë, që unë nuk kam bërë asnjë përpjekje për të mbuluar apo zbukuruar mbi gjithçka që kam thënë. Shpresoj që lexuesi t’i kuptojë drejt rrëfimet dhe komentet e mia për ngjarje, veprime dhe për kushtet e familjes së Enver Hoxhës, të cilat kanë qenë në përputhje dhe në bazë të ligjeve dhe rregullave të shtetit të asaj kohe.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb