Moderatori i emisionit “LOG.”, Endri Xhafo, ishte sot në studion e improvizuar të News24, e cila në kushtet ku gazetarëve nuk u lejohet të hyjnë në redaksi, është ngritur përpara godinës ku KAYO dhe Policia Ushtarake nuk lejojnë punonjësit e medas të kryejnë detyrën.
Endri Xhafo u shpreh se në aspektin politik gjithçka tregon një inat që nuk duhet të ishte pjesë e një shteti i cili pretendon që shumë shpejt të jetë pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa ka theksuar mungesën e solidarizimit nga kolegët për situatën e rëndë, reagim që tha se ishte shumë më i pakët nga sa priste.
Ai ka theksuar se mungesa e News24 në transmetim normal ka lënë një boshllëk të madh në treg, ndërsa shtoi se liria editoriale e gazetarëve në këtë media, është e plotë, duke u ndalur në rastin e tij, i cili nuk është ndaluar të ftojë apo jo dikë në emision, apo të kufizohet në pyetje.
“E rëndësishme që më në fund dolëm edhe në transmetim normal në sensin e platformave digjitale.
Një deputet i PS dhe një punonjës institucioni më morën në telefon ditën e parë për të më pyetur ç’po ndodhte. Më thanë që në institucion, televizioni mbahej gjithmonë te News24.
Mungesa e News-it ka shkaktuar një boshllëk e mungesë që nuk mund të vijonte gjatë. Ne jemi gazetarë dhe shkojmë aty ku është lajmi. Për fat të keq kësaj radhe jemi ne që ishim lajmi.
Me gjithë sulmet e vazhdueshme që pronari i News24 ka pasur në të gjithë frontet, Newsi ka ruajtur një pavarësi relative. Lejoheshim të ftoheshim të donim dhe të pyesnim çfarë kemi dashur. Kishim liri të plotë editoriale.
Kur edhe socialistët 24 karatësh janë të shqetësuar me këtë që ndodhi… gjithçka që ndodhi ishte e shëmtuar.
Edhe sot në këtë situatë BalkanWeb ka vijuar punën, ka pasqyruar edhe luftën e zjarrfikësve me flakët.
Sulmi ndaj News24 duket qartazi që ishte një inat që nuk duhet të ketë vend në një shtet që synon të anëtarësohet në BE”, tha ai.
Xhafo është ndalur gjithashtu në faktin që kontrata për përdorimin e godinës ku ata operojnë është e rinovuar ligjërisht, në momentin që u likuidua fatura e muajit gusht, të premten e kaluar.
“Ditën e premte është emetuar fatura e gushtit, për godinën që jemi këtu. Ndërkohë që ishte paguar edhe korriku. Ligji shqiptar thotë që në momentin që emetohet fatura dhe arkëtohen paratë, kontrata konsiderohet e rinovuar. Pra argumentet se ka mbaruar kontrata nuk vlejnë nga ana ligjore. Ndërkohë sa i përket godinës tjetër ku ne nuk aksesojmë dot, nuk ka asnjë pretendim, pra s’është pjesë e pronave të dhënë KAYO-s”, tha ai.
(BalkanWeb)
