Një situatë e tensionuar është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës, 30 shtator, në burgun “Don Bosco” në Pisa të Italisë, ku rreth 40 të burgosur, mes tyre edhe shqiptarë, u vendosën në një pjesë të godinës, duke kërkuar të takoheshin me komandantin e policisë penitenciare dhe drejtoreshën e institucionit.
Sipas mediave italiane, protesta nisi pasi disa të burgosur pretenduan se kishin zbuluar në qelitë e tyre mikrofonë përgjimi dhe pajisje të tjera elektronike, të vendosura dyshohet se për qëllime hetimore. Të burgosurit kanë kundërshtuar përdorimin e këtyre pajisjeve, duke kërkuar që të kenë mundësi të komunikojnë lirshëm në qelitë e tyre pa u përgjuar.
Ngjarja është transmetuar drejtpërdrejt në TikTok nga një prej të burgosurve, pavarësisht ndalimit të përdorimit të telefonave në institucionet e vuajtjes së dënimit. Në pamjet e transmetuara dëgjohen biseda në italisht dhe shqip, ndërsa situata paraqitet e tensionuar. Në një moment, personi që filmon dëgjohet të thotë: “Duhet të jenë gazetarët aty, do t’i masakrojnë keq çunat”, ndërsa një tjetër i burgosur dëgjohet duke sharë në shqip: “Të q**** motrën”.
Sipas dëshmive të të burgosurve gjatë transmetimit, drejtoria e burgut i kishte nxjerrë më herët nga qelitë dhe më pas ata pretenduan se kishin konstatuar praninë e mikrofonëve dhe pajisjeve të tjera elektronike të fshehura. Të burgosurit kanë pretenduar gjithashtu se gjatë përplasjes janë goditur me shkopinj gome nga efektivët.
Protesta nisi rreth orës 19:00 dhe zgjati për disa orë, ndërsa në ambientet e burgut u dërguan edhe ambulanca për shkak të përplasjeve të raportuara mes të dënuarve dhe efektivëve. Jashtë institucionit u angazhuan forca të policisë, karabinierisë dhe policisë penitenciare.
Autoritetet italiane pritet të sqarojnë në vijim rrethanat e plota të ngjarjes dhe nëse pajisjet e pretenduara të përgjimit ishin vendosur në qeli në kuadër të një hetimi.
