NGA: OLA MITRE*
Mosparaqitje në takimin e plani fikuar në zyrën e punësimit, refuzim i një vendi të paguar pune apo mospranim për të marrë pjesë në një nga programet e nxitjes së punësimit apo programe të tjera të ofruara nga zyra e punës. Këto janë disa nga rastet, kur një punëkërkues i papunë, i regjistruar në zyrat e punës mund të humbasë statusin e të papunit e për pasojë të mos përfitojë më nga shërbimet që merr prej tij. Gjithçka përcaktohet në një udhëzimin të ri të ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, që ka për qëllim zbatimin e ligjit “Për punëkërkuesit”.
Sipas të njëjtit dokument, që tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare, statusi i të papunit hiqet edhe në rastin kur personi deklaron se nuk pranon të aftësohet nëpërmjet formimit profesional të ofruar falas në qendrat publike të formimit profesional. Kjo në rastin kur formimi vlerësohet i përshtatshëm në përputhje me karakteristikat e tij individuale dhe me kërkesat që ka tregu e punës. Ndërkaq, në tabelën bashkëngjitur shkrimit, “Gazeta Shqiptare” zbardh të plota 7 rastet kur zyra e punës bën çregjistrimin punëkërkuesit të papunë si dhe heqjen apo refuzimin e statusit në zyrën e punësimit.
Sipas udhëzimit të Klosit, vendimi për heqjen e statusit mund të ankimohet, ndërkohë që personi të cilit i refuzohet apo i hiqet statusi “Punëkërkuesi i papunë” ka të drejtë për të aplikuar për regjistrim në zyrën punësimit dhe për ta rifituar atë, vetëm pas një periudhe kohe tremujore. Afati i llogaritjes së kësaj periudhe kohore do të bazohet mbi datën në të cilën është bërë çregjistrimi i tij në sistem dhe në formularin përkatës të regjistrimit në zyrën e punësimit.
RISIA
Një risi që sjell udhëzimi është fakti se në zyrat e punës mund të regjistrohen jo vetëm personat e papunë, por edhe ata që janë të punësuar ose vetëpunësuar. Personi do të marrë statusin ‘punëkërkues’ dhe do të përfitojë shërbimet e punësimit për gjetjen e një pune të re apo përgatitje për punë, informacion për vendet e lira të punës, këshillim për punë e profesion dhe ndërmjetësim në punë. Megjithatë, ai nuk përfiton vërtetim nga zyra e punësimit, me qëllim përfitimi nga programet shtetërore të mbështetjes me të ardhura.
Gjithashtu, ai nuk përfiton falas pjesëmarrjen në kurset e formimit profesional në qendrat publike dhe nuk mund të jetë pjesëmarrës në programet e nxitjes së punësimit për punëkërkuesit e papunë. Si kërkues pune me status “Punëkërkues” mund të regjistrohen në zyrën e punësimit edhe studentët, që vazhdojnë studimet, të cilët u drejtohen zyrave të punësimit për të kërkuar një punë me kohë të pjesshme.
ÇREGJISTRIMI I PUNËKËRKUESIT TË PAPUNË, HEQJA/ REFUZIMI I STATUSIT NË ZYRËN E PUNËSIMIT
1. Zyra përkatëse e punësimit i heq statusin “Punëkërkues i papunë” ose vendos të mos ia japë atë personit, që pretendon ta fitojë, nëse ai deklaron se nuk pranon të punësohet në një vend pune të paguar në përshtatje me:
a) Karakteristikat e tij individuale (moshën, gjininë, kushtet shëndetësore);
b) Kualifikimin dhe aftësitë e tij profesionale (arsimimin, formimin profesional, kohëzgjatjen e punësimit të mëparshëm, përvojën e fituar);
c) Vendbanimin dhe ndikimin e punës në fjalë në gjendjen personale dhe familjare. Punëkërkuesi, që humb statusin, për arsye të mos pranimit të punësimit në një vend pune të përshtatshëm, çaktivizohet në sistemin e shërbimeve të punësimit, duke u çregjistruar me arsyen “Refuzon vendin e punës” dhe nuk shfaqet në sistemet e institucioneve të tjera të lidhura me të.
2. Zyra përkatëse e punësimit i heq statusin “Punëkërkues i papunë”, ose vendos të mos ia japë atë personit, që pretendon ta fitojë, nëse ai deklaron në zyrën e punësimit, se nuk kërkon punë. Punëkërkuesi, që humb statusin për këtë arsye çaktivizohet në sistemin e shërbimeve të punësimit, duke u çregjistruar me arsyen “Nuk kërkon punë”, dhe nuk shfaqet në sistemet e institucioneve të tjera të lidhura me të.
3. Zyra përkatëse e punësimit i heq statusin “Punëkërkues i papunë” punëkërkuesit, që deklaron se nuk pranon të marrë pjesë në një nga programet e nxitjes së punësimit apo programe të tjera të ofruara prej saj, për t’u punësuar apo mësuar një profesion të përshtatshëm, që e ndihmon atë për t’u integruar në tregun e punës. Punëkërkuesi, që humb statusin për arsye të mos pjesëmarrjes në program, çaktivizohet në sistemin e shërbimeve të punësimit, duke u çregjistruar me arsyen “Refuzon pjesëmarrjen në program” dhe nuk shfaqet në sistemet e institucioneve të tjera të lidhura me të.
4. Zyra përkatëse e punësimit i heq statusin “Punëkërkues i papunë” punëkërkuesit, që deklaron se nuk pranon të aftësohet nëpërmjet formimit profesional të ofruar falas në qendrat publike të formimit profesional, në rastin kur formimi vlerësohet i përshtatshëm në përputhje me karakteristikat e tij individuale dhe me kërkesat që ka tregu e punës. Punëkërkuesi, që humb statusin për arsye të këtij mospranimi çaktivizohet në sistemin e shërbimeve të punësimit, duke u çregjistruar me arsyen “Refuzon formimin profesional” dhe nuk shfaqet në sistemet e institucioneve të tjera të lidhura me të.
5. Zyra përkatëse e punësimit i heq statusin “Punëkërkues i papunë” edhe punëkërkuesit që nuk paraqitet në takimin e planifikuar në zyrën e punësimit, sipas afateve të përcaktuara në ligj apo kur i kërkohet një gjë e tillë. Nëse punëkërkuesi nuk bën një njoftim paraprak për të arsyetuar mosparaqitjen në takimin e planifikuar dhe për të konfirmuar një datë tjetër takimi në adresat (të dhënat) e kontaktit, të vëna në dispozicion nga zyra për këtë qëllim dhe nuk e dokumenton mosparaqitjen në takimin më të afërt në zyrën e punësimit, ai humb statusin e punëkërkuesit të papunë dhe çregjistrohet me arsyen “Nuk u paraqit në zyrën e punësimit”.
6. Rastet e tjera të çregjistrimit të punëkërkuesit të papunë dhe ndryshimit të statusit të tij janë ato kur:
a) Punëkërkuesi i papunë punësohet në një punë të përshtatshme me ndërmjetësimin e zyrës së punësimit dhe çregjistrohet me arsyen “Ndërmjetësim në punë”;
b) Punëkërkuesi i papunë punësohet në një vend të lirë pune, të cilin e gjen vetë si rezultat i kërkimit individual gjatë periudhës, që merr shërbime punësimi në zyrën e punësimit, apo kur ai punësohet në një nga vendet e lira të shpallura në zyrën e punësimit, për të cilin merr informacion gjatë vizitave në zyrë apo në portalin online të shërbimeve të punësimit http://puna.gov.al/ ose në faqen zyrtare të SHKP http://www.shkp.gov.al/. Në këtë rast, ai çregjistrohet me arsyen “Ka gjetur punë vetë”;
c) Punëkërkuesi i papunë punësohet nëpërmjet pjesëmarrës në një program të nxitjes së punësimit dhe çregjistrohet me arsyen “Pjesëmarrës në program nxitje punësimi”.
7. Propozimi për punësim apo pjesëmarrjes në programe regjistrohet në sistemin e shërbimeve të punësimit dhe formularin përkatës. Për çdo rast mospranimi apo refuzimi punëkërkuesi nënshkruan deklaratën me arsyen përkatëse. Zyra e punësimit merr vendimin për heqjen/refuzimin ose jo të statusit të punëkërkuesit të papunë, pasi shqyrton deklarimet përkatëse rast pas rasti. Deklarata e nënshkruar i bashkëngjitet formularit të regjistrimit. Në rast të mos nënshkrimit të deklarimit nga punëkërkuesi, deklarata firmoset vetëm nga specialisti me shënimin “Punëkërkuesi refuzon të nënshkruajë”.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
