Fotografia e një djali me aftësi ndryshe me mbishkrimin “I ngritur nga mbështetja, i mbartur nga ëndrrat” realizuar nga Klevisa Kapo është një prej fotografive fituese të një konkursi rajonal të të rinjve ballkanik organizuar nga “Ëe Balkans”.

Imazhi bashkë me 17 fotografi të tjera ekspozohet në Shtëpinë e Evropës duke shpërfaqur krijimtarinë, perspektivat dhe shpirtin evropian të banorëve të Ballkanit. Ambasadori I BE-së në Tiranë, vlerësoi historitë pas imazheve.

“Sot, ne nuk po shfaqim thjesht fotografi, por po përforcojmë zërat. Zërat e të rinjve nga Ballkani Perëndimor, të cilët kanë përdorur kamerat e tyre për të na treguar se si e shohin Evropën, si i jetojnë vlerat e saj dhe si e imagjinojnë të ardhmen e saj. 18 fotografitë e ekspozuara këtu sot, formojnë një mozaik të pasur rajonal. Çdo imazh është një histori personale. Dhe së bashku, ato pasqyrojnë një frymë të përbashkët evropiane, plot shpresë, diversitet dhe unitet. Kjo ekspozitë udhëtuese, e cila tashmë ka vizituar Beogradin, Podgoricën dhe Shkupin, është më shumë sesa një udhëtim artistik. Është një lëvizje simbolike përtej qyteteve dhe kufijve!”, tha ambasadori.

Fotografi i njohur shqiptar, Armando Babani, pjesë e jurisë që ka përzgjedhur 18 finalistë nga 183 aplikime të të talentuarve nga Ballkani, i vlerësoi imazhet në anën profesionale.

“Ishte një eksperiencë vërtetë e bukur por edhe shumë e vështirë sepse  kur shikon shumë fotografi që janë të fuqishme në mesazhin që japin dhe kreative ndërkohë. Nuk është e lehtë të bësh zgjedhjen tënde. Ky konkurs bëri bashkë disa gjëra, që janë fotografia, tregimi i një historie përmes një fotografie dhe sporti. Nuk duhet te harrojmë që përmes fotografisë ne ndërtojmë ura dhe ky ishte qëllimi”, tha Babani. 

Ekspozita përfshin fotografi të realizuara në Ballkanin Perëndimor, si treguese se si ky rajon e sheh Evropën e vlerat e saj, duke përzgjedhur sportin si temë përbashkuese. Pas udhëtimit në Ballkan, fituesi do të shpallet në Bruksel.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb