Partizani sapo ka mbyllur një cikël shitjesh, që kanë shkaktuar probleme të mëdha në skuadër dhe njëherazi kanë shtyrë nisjen e një cikli të ri. Në këtë verë, të kuqtë do të duhet të afrojnë lojtarë cilësorë në çdo repart për t’u kthyer te titulli.
Gjithsesi, akademia është një element thelbësor i një klubi dhe Partizani nuk do ta lënë mënjanë këtë element, sidomos duke ditur se atje ka disa lojtarë që nëse rriten në mënyrën e duhur, mund të bëhen të vlefshëm për ekipin e parë dhe të sjellin trofe e para të në ardhmen. Nga ata që pamë në ndeshjen e fundit, mund të përmendim katër. Elson Himallari, edhe për shkak të moshës së re (16 vjeç), konsiderohet si një lojtar më shumë të ardhme.
Produkt i gjithi “ekskluziv” i akademisë së kuqe dhe një lojtar që ka fituar pëlqimin e trajnerit Gega. Ai pritet të vijojë të luajë për moshat, por e sigurt që minutat nuk do t’i mungojnë as në ekipin e parë. Një tjetër lojtar i spikatur i akademisë është edhe Dion Vata. Mesfushori e mban “ëmbël” topin në këmbë dhe la përshtypje në finalen e vogël me Dinamon, jo vetëm prej kaçurrelave të dendura. Në një moment “krize” në mesfushën e kuqe, në sezonin e ri 16-vjeçari pritet të jetë një opsion më shumë.
Tedi Malaj konsiderohet gjithashtu një lojtar që pritet të lërë shenjë në klubin e kuq. Shënoi kundër Dinamos, në mundësinë e vetme që i dha Gega, por që është e sigurt se nuk do të jetë e vetmja. E njëjta gjë vlen edhe për Bubakar Jata, që mund të konsiderohet si i vetmi mes afrikanëve të ardhur në dy merkatot e fundit, që premton për të ardhmen dhe mund të shkojë në gjurmët e Magetit, Matondos apo Bintsukës.
